Pas përfundimit të ditës së parë të takimeve kushtuar përgatitjeve për vitin e dytë të mandatit qeverisës, kryeministri Edi Rama u shpreh nga Pogradeci mbi temat kryesore të axhendës së tij.
Rama bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar te iniciativat si “Besa”, “Prania Besnike”, si dhe te mënyrat e reja të komunikimit që qeveria synon të vendosë me qytetarët.
Sipas kryeministrit, një nga objektivat kryesorë është ngritja e një ekosistemi të ri komunikimi, ku çdo ankesë apo kërkesë e qytetarëve të mund të monitorohet në kohë reale nga institucionet shtetërore.
Në këtë drejtim, Rama foli për inicimin e “Pasqyrës Unike”, një hapësirë ku të gjitha institucionet do të jenë të përfshira. Ai shpjegoi se çdo kërkesë e qytetarëve do të trajtohet në mënyrë të ngjashme me një “pako postare”, duke lejuar si qytetarin ashtu edhe institucionet që të ndjekin procesin në kohë reale.
“ Aty ku Lasgushi vjen me frymëzimet magjepsëse dhe aty ku u përpoqëm të mbledhim reflektimet e një periudhe pushimesh aktive. Kemi diskutuar për Besën, për Praninë Besnike, për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë me qytetarin, edhe për Pasqyrën Unike “Pasqyrë Albania”, ku do të jenë të pranishme të gjitha institucionet.
Çdo kërkesë, shqetësim dhe hall i qytetarit të jetë si një pako postale që ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe shteti. Qeveria ndjek përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë.”

