Pas ofendimeve ndaj organizatorëve dhe protestuesve kundër projektit në Zvërnec, kryeministri Edi Rama ka drejtuar kritika edhe ndaj eurodeputetëve që morën pjesë në tubimet e zhvilluara në Tiranë.
Duke komentuar protestat, Rama u shpreh se Shqipëria nuk mund të realizojë një projekt që bie ndesh me standardet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se çdo zhvillim do të duhet të jetë në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian.
Në të njëjtën kohë, ai ironizoi eurodeputetët e pranishëm në protestë, duke deklaruar se “3-4 eurodeputetë erdhën këtu dhe flisnin përçart”.
Sipas Ramës, projekti për Zvërnecin është ende në fazë zhvillimi dhe është hartuar nga disa prej arkitektëve më të njohur në botë, ndërsa kritikoi kundërshtarët që, sipas tij, po sulmojnë një projekt që ende nuk është realizuar.
“Për këtë projekt janë mbledhur disa nga arkitektët më të mirë të botës. Të dalësh dhe të sulmosh një projekt që akoma nuk është bërë është inkuizicion, ku e di ti si do të jetë.
Le t’i lëmë të gjitha këto, në fund fare një gjë është e sigurtë, ne nuk bëjmë dot një projekt që nuk e pranon BE, nuk e bëjmë dot, ose duhet të themi që nuk futemi në BE.
Kaq e thjeshtë është historia. Kur them Bashkim Europian, unë flas për Komisionin Europian, nuk flas për ato 3-4 të gjelbrat që erdhën këtu dhe flisnin përçart”, tha Rama.

