Një qytetare nga Shkodra ka denoncuar publikisht gjendjen e shatërvanit pranë Teatrit “Migjeni”, duke akuzuar Bashkinë Shkodër për mungesë mirëmbajtjeje dhe neglizhencë ndaj hapësirave publike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shprehet se qyteti nuk ndërtohet vetëm me projekte të mëdha e tendera miliona eurosh, por edhe me shërbime të thjeshta dhe të përditshme për qytetarët.
Sipas saj, drejtuesit vendorë po fokusohen te fondet që vijnë nga Tirana, ndërsa taksat e qytetarëve nuk po kthehen në shërbime konkrete për komunitetin.
Qytetarja publikon edhe pamje nga shatërvani përballë teatrit, për të cilin thotë se është në gjendje të amortizuar dhe jo funksionale, duke shtuar se situata aty është bërë shqetësuese edhe për higjienën.
“Mirëboll që nuk ka më stola që rrinë njerëzit, sepse do merrje ndonjë sëmundje nga situata aty”, shkruan ajo në reagimin e saj.


