Gjatë takimit me banorët e Zvërnecit, një qytetar i kërkoi llogari kryeministrit Edi Rama për deklaratat e bëra lidhur me pronat në zonë, duke theksuar se toka e familjes së tij është trashëguar brez pas brezi dhe se familja ka luftuar për dekada në gjykata për njohjen e saj.
Ai u shpreh i prekur nga komentet e kryeministrit, duke thënë se çështja e pronësisë duhet të vendoset nga drejtësia.
Në përgjigje, Rama deklaroi se nuk ka vënë në dyshim të drejtat e pronarëve, por ka theksuar se pronat janë kthyer vite më parë sipas ligjit.
Kryeministri shtoi se vetëm gjykatat mund të vendosin nëse procesi i kthimit të pronës ka qenë i drejtë apo jo, dhe jo qeveria.
Qytetari: Ajo është një tokë e trashëguar dembabadem. Mua më vrau, u duk e paragjykuar, u duk sikur ç’të pres unë tani nga gjykata. Nëse më takon prona apo jo e cakton gjykata.
Më kanë sorrollatur 35 vite, 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos intervistohemi e të mos kemi zë. Disa deklarata tuajat më kanë prekur.
Rama: Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kudjesshëm me fjalë. Kam thënë që prona është e kthyer denbabaden. Është kthyer shumë vite më parë, jo në këtë periudhë.
Ligji funksionon që kthehen pronat e trashëguara. Nëse kthimi është i drejtë ose jo këtë nuk e vendos unë apo qeveria.

