Qytetarët e Shkodrës kanë të drejtë të interesohen për projektet që po realizohen në qytet dhe të kërkojnë informacion për investimet që ndikojnë në hapësirat publike. Por, kur pyetjet drejtohen te kryetari i Bashkisë, Benet Beci, përgjigjet e tij në rrjetet sociale janë skandaloze dhe pa minimumin e etikës.
Në një koment, një qytetare e pyet për parkun në hyrje të Shkodrës, duke kërkuar të dijë se kur do të përfundojë. Në vend që t’i japë një përgjigje konkrete për ecurinë e projektit, Beci i përgjigjet me ironi, duke e drejtuar te ata që, sipas tij, nuk bëjnë asnjë punë.
Diskutimi vijon edhe me një koment tjetër, këtë herë për shatërvanin, ku qytetarët kërkojnë sqarime për këtë hapësirë publike. Por edhe këtu, në vend të një përgjigjeje të qartë, kryebashkiaku zgjedh të replikojë me të njëjtën frymë ironike.
Përtej përmbajtjes së përgjigjeve, bie në sy edhe mënyra e të shkruarit, me gabime të dukshme drejtshkrimore. Një situatë që e bën edhe më të diskutueshëm komunikimin e një kryetari bashkie me qytetarët që kërkojnë informacion për qytetin e tyre.
Në fund të fundit, qytetarët nuk po i kërkojnë Benet Becit ndonjë favor personal. Ata po pyesin për projekte publike dhe duan të dinë se kur do të përfundojnë. Përgjigjet me ironi dhe replikat personale nuk e zëvendësojnë me nder informacionin që u takon të marrin.


