Një 16-vjeçar nga Kosova, që jeton në kantonin Aargau të Zvicrës, është ndaluar nga autoritetet pasi u përpoq të shmangte policinë në autostradën A1, duke drejtuar një skuter të vjedhur. I riu, gjatë përpjekjes për t’u larguar, shkeli disa rregulla trafiku para se të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej nga mjeti.
Policia kantonale e Cyrihut raportoi se incidenti ndodhi pak para orës 21:30, kur një patrullë vuri re adoleshentin duke përdorur telefonin celular ndërsa ishte në drejtimin e skuterit mbi autostradën A1L.
Pavarësisht urdhrave të policisë për të ndaluar, 16-vjeçari vazhdoi lëvizjen përgjatë segmentit të autostradës A1, në drejtim të Bernës. Gjatë ndjekjes, ai kaloi në mënyrë të paligjshme një autobus turistik nga ana e djathtë, duke përdorur korsinë e emergjencës për të fituar terren.
Para daljes në Dietikon, i mituri humbi kontrollin mbi skuterin dhe u përplas. Pasi u rrëzua, ai tentoi të largohej në këmbë, por pas disa qindra metrave, një pjesëtar i policisë arriti ta ndalonte. I riu fatmirësisht nuk pësoi lëndime trupore.
Gjatë ndjekjes, ai kishte hedhur një qese, brenda së cilës policia më vonë zbuloi rreth 50 gramë hashash. Hetimet konfirmuan gjithashtu se skuterin e kishte të vjedhur dhe se adoleshenti nuk posedonte leje drejtimi.
Autoritetet kanë hapur procedurat për veprat e dyshuara penale dhe dosja tashmë është dërguar prokurorisë për të mitur për trajtim të mëtejshëm.

