Punimet vijojnë në zonë historike dhe me fluks të lartë turistësh, ndërsa vendimi i qeverisë parashikon pezullimin e ndërhyrjeve ndërtimore
Pavarësisht vendimit të qeverisë dhe urdhrit të bërë publik nga ministri Blendi Gonxhja për pezullimin e punimeve të ndërtimit në zonat turistike dhe qendrat historike deri më 15 shtator 2026, punimet në kantierin e “Rozafa Tower” në Shkodër vijojnë normalisht.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e vendimit dhe rolin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Shkodër. Objekti ndodhet në një zonë historike të qytetit dhe në një nga segmentet me fluks të lartë turistësh, dy kritere që, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, janë pjesë e zonave ku duhet të zbatohet pezullimi i punimeve gjatë sezonit turistik.
Vendimi parashikon ndalimin e punimeve që shkaktojnë zhurmë, pluhur dhe ndikime të tjera në mjedis, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të qetë dhe mbrojtjen e qendrave historike.
Në këto kushte lind pyetja: Pse IMT Shkodër nuk ka ndërhyrë për pezullimin e punimeve te “Rozafa Tower”, ndërkohë që masa është në fuqi deri më 15 shtator?
Qytetarët dhe operatorët turistikë kërkojnë një sqarim zyrtar nga institucionet përgjegjëse nëse ky kantier përjashtohet nga vendimi, apo nëse kemi të bëjmë me moszbatim të tij. Transparenca mbi këtë rast do të ishte e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për një zonë me rëndësi historike dhe turistike për qytetin e Shkodrës./RealitetiPost

