Kuvendi ka miratuar disa projektligje që lidhen me sektorin e bujqësisë, ndërsa votimi ka sjellë edhe një qëndrim ndryshe nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka votuar kundër një prej nismave dhe ka abstenuar në një tjetër, ndërkohë që opozita nuk mori pjesë në votime pasi bojkotoi seancën.
Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore” u miratua me 71 vota pro, një abstenim dhe një votë kundër. Abstenimi erdhi nga Erion Braçe, ndërsa kundër votoi deputeti Erald Kapri.
Ndërkohë, projektligji “Për censin e bujqësisë” mori 77 vota pro dhe një kundër, kjo e fundit nga Kapri.
Edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, ‘Për menaxhimin e kimikateve’, të ndryshuar” u miratua me 78 vota pro dhe një kundër, sërish nga deputeti i Partisë Mundësia.
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 76 vota pro dhe një kundër ndryshimet në ligjin “Për akuakulturën”, ndërsa vota kundër ishte sërish e Erald Kaprit.
Në votimin për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, ‘Për mbrojtjen e tokës bujqësore’, të ndryshuar”, pati dy vota kundër. Ato ishin të deputetëve Erion Braçe dhe Erald Kapri.
Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”.
Votimi: 71 pro; 1 abstenim (Braçe); 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për censin e bujqësisë”
Votimi: 77 pro; 0 abstenim; 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”
Votimi: 78 pro; 0 abstenim, 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 103/2016, “Për akuakulturën””
Votimi: 76 pro; 0 abstenim; 1 kundër (Kapri)
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”.
Votimi: 78 pro; 0 abstenim; 2 kundër (Braçe; Kapri)

