Eurodeputetët e grupit të Partisë Demokratike Evropiane, një grup centrist që mbështet integrimin evropian, reaguan me anë të një postimi për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve një ditë më parë.
Sipas tyre, dhuna ishte shqetësuese. Për më tepër, eurodeputetët thonë se dhuna barbare u ushtrua nga persona pa uniformë.
Eurodeputetët i drejtohen Ramës me pyetjen: Cili është problemi yt me disidencën?
“Dje, ndërsa protestat në Tiranë hynë në ditën e tyre të 101-të radhazi, pamjet që na mbërritën u bënë thellësisht shqetësuese. Ndalimet u shtuan, reagimi i policisë u duk jashtëzakonisht i ashpër dhe persona pa uniforma të dukshme u panë duke ndërhyrë, duke ngritur pyetje serioze nëse bëhej fjalë për punonjës policie apo për individë që vepronin jashtë çdo zinxhiri të qartë përgjegjësie.
Kjo vjen pas bllokimit dhe kufizimit javën e kaluar të llogarive në rrjetet sociale të lidhura me protestat, një tjetër shqetësim për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion.
Nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria po përballet me një test serioz të standardeve të saj demokratike. Një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duhet të forcojë shtetin e së drejtës, të mbrojë liritë themelore dhe të garantojë të drejtën për të kundërshtuar, protestuar dhe folur lirshëm,” thuhet në reagim.
Ndërkohë, Edi Rama reagoi me një postim në anglisht në rrjetet sociale, duke i ofenduar eurodeputetët si dembelë dhe mendjengushtë.
“Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit quhet “kundërshtim”?
Ndoshta kështu duket nga rehatia e tastierës suaj. Por, jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin mes një korridori sharjesh dhe dhune fizike, me vezë e madje edhe gurë të hedhur ndaj tyre, vetëm që të arrinin në vendin e tyre të punës.
A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo.
Meqë ra fjala, shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, fyhet dhe keqtrajtohet nga modelet tuaja të “kundërshtimit”, teksa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës.
Dhe kjo nuk ishte as më e keqja nga ato që kolegëve tuaj shqiptarë iu desh të përballonin dje.
Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të “kundërshtimit”, nga piedestali juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme?
Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e përfshini në këtë histori. Shqipëria është një vend realisht i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë. Ajo nuk meriton të bëhet çamçakëz në gojët mediokre të njerëzve që i shkëmbejnë faktet me angazhim të lirë politik”, shkruan Rama.

