Pesë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës, pas protestës së organizuar nga të rinjtë në Tiranë, ku u regjistruan përplasje dhe tensione me forcat e Policisë së Shtetit. Mes të lënduarve janë një punonjës policie, dy persona të mitur, një protestues si dhe një kalimtar.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 17:00 lidhur me gjendjen e të dëmtuarve, efektivi i policisë ka marrë mjekim dhe më pas është larguar nga spitali.
Dy të miturit, 16 dhe 17 vjeç, janë paraqitur gjithashtu për ndihmë mjekësore. Njëri prej tyre është trajtuar dhe ka dalë nga spitali, ndërsa tjetri vazhdon të jetë nën vëzhgim nga mjekët.
Gjithashtu, një protestues ka shkuar në spital, teksa gjendja e tij shëndetësore konsiderohet e mirë. I njëjti vlerësim shëndetësor është dhënë edhe për një kalimtar, i cili është ekzaminuar në spital nga ekipi mjekësor.

