Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe i ka kaluar për gjykim dosjen noteres me inicialet A.H., e cila akuzohet për falsifikim të dokumenteve noteriale në mënyrë të përsëritur gjatë intervalit 2011–2020.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier njoftoi se e pandehura përballet me akuzën për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personat të ngarkuar për lëshimin e tyre, kryer më shumë se një herë.
Pas përfundimit të hetimeve për procedimin penal nr. 1050, të hapur në vitin 2019, autoritetet kanë krijuar dyshime se noterja ka përgatitur dhe lëshuar akte noteriale në mënyrë të përsëritur duke përdorur emrat e noterëve të tjerë, të cilët nuk kanë qenë autorët e dokumenteve në fjalë.
“Gjithashtu, nga hetimi rezultoi se, gjatë viteve 2011–2018, janë hartuar kontrata për shitjen e automjeteve, të cilat nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës noterialë të noterëve në emër të të cilëve janë lëshuar. Sipas provave të administruara, në një numër të konsiderueshëm rastesh është përdorur emri i një notereje me zyrë në Tiranë, ndërsa aktet përkatëse dyshohet se janë hartuar në Fier nga e pandehura. Njëkohësisht ndaj së njëjtës notere, në kuadër të procedimit penal nr. 390/2023, janë përfunduar hetimet dhe ajo është marrë e pandehur për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë

