Në prill të këtij viti, gjatë një inspektimi në aksin Shirokë–Zogaj, përfaqësues të qeverisë deklaruan se rruga dhe pika e re kufitare me Malin e Zi do të ishin gati brenda pak javësh, me synimin që të hapeshin në kohë për sezonin turistik veror.
Më 13 prill 2026, zv.kryeministrja Albana Koçiu u shpreh se investimi do të lehtësonte qarkullimin e qytetarëve dhe turistëve, ndërsa paralajmëroi ngritjen e një pike kufitare të tipit “one stop”, ku procedurat policore dhe doganore të kryheshin në një vend të vetëm nga autoritetet shqiptare dhe malazeze.
Në të njëjtën vizitë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, njoftoi se do të ngrihej grupi i ekspertëve për të përgatitur funksionimin e pikës së re kufitare.
Megjithatë, ndërsa sezoni turistik ka arritur kulmin dhe zona e Shkodrës po vizitohet nga mijëra turistë, projekti ende nuk është bërë realitet.
Në vendin ku ishte parashikuar të funksiononte pika e re kufitare, nuk ka asnjë gjurmë të një dogane funksionale. Ajo që shihet sot janë vetëm grumbuj gurësh dhe punime të papërfunduara.
Aksi Shirokë–Zogaj dhe pika e re kufitare janë prezantuar si projekte me rëndësi për zhvillimin e turizmit dhe forcimin e lidhjes me Malin e Zi. Megjithatë, afati i premtuar për hapjen e tyre gjatë këtij sezoni ka kaluar, ndërsa investimi vijon të mbetet i papërfunduar.
Burimi: Portali Veriu Sot

