Mungesa e një sistemi elektronik për menaxhimin e radhës ka komplikuar ndjeshëm procesin për qytetarët që kërkojnë vizitë tek mjekët specialistë në këtë institucion shëndetësor.
Çdo mëngjes, dhjetëra persona, përfshirë të moshuar dhe individë me probleme shëndetësore, janë të detyruar të qëndrojnë në pritje për një kohë të gjatë për të marrë shërbimin e nevojshëm. Kjo situatë, e shoqëruar me mungesën e një organizimi të duhur, shpesh çon në tensionime, debate apo madje edhe përplasje mes qytetarëve që ndodhen në radhë.
Qytetarët shprehen se nëse do të instalohej një sistem elektronik me numra rendorë, si dhe një mënyrë më e mirë për organizimin e referimeve, procesi do të bëhej më efikas, duke shmangur kaosin dhe vonesat e panevojshme. Ata u bëjnë apel institucioneve përgjegjëse për të ndërhyrë, duke theksuar se situata është më e rëndë për të moshuarit dhe pacientët me probleme shëndetësore, për të cilët pritja e gjatë është një barrë e shtuar.

