Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues që kishte pësuar një defekt dhe ndodhej në vështirësi në ujëra, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan një operacion për të lokalizuar dhe ofruar ndihmën e nevojshme.
Në këtë operacion morën pjesë mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe operatorë turistikë nga zona, të cilët ndihmuan në gjetjen e mjetit, pasi fillimisht vendndodhja e tij nuk ishte e qartë.
Përmes kërkimeve të intensifikuara, shërbimet e Policisë Kufitare arritën ta lokalizojnë mjetin lundrues në thellësi të lumit Buna, rreth 17 milje larg grykëderdhjes.
Pas verifikimeve, u konstatua se skafi, i tipit “Morea”, po drejtohej nga shtetasi A. B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det për shkak të një defekti në motor.
Shërbimet e Policisë Kufitare ofruan ndihmën e nevojshme për shtetasin dhe organizuan një rikthim të sigurt të tij, si dhe të mjetit lundrues në vendstacionin e mjeteve lundruese në Pulaj, Velipojë.
Policia Kufitare vazhdon të jetë e përkushtuar për të shërbyer qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve. Në këtë kontekst, ajo inkurajon qytetarët që, në rast nevoje, të kontaktojnë numrin 112.

