‘Plumbi i Artë’/ SPAK kërkoi 35 vite burg për të penduarin e parë, Henrik Hoxhaj, dhe vetëm 10 vite për Nuredin Dumanin

Elton Qyno – Syri.net/

Paraqitja e konkluzioneve përfundimtare (pretencës) nga ana e SPAK për dosjen penale që njihet si “Plumbi i Artë”, ka sjellë një përshtjellim mendimesh në opinionin publik, pasi emra të njohur të botës së krimit, që SPAK i akuzon për 7 vrasje dhe një seri tentativash vrasjeje, por edhe grabitjesh, nuk janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Për 15 të pandehurit e kësaj dosjeje gjyqësore, prokurorët e SPAK kërkuan përfundimisht 292 vite burg, duke i akuzuar personat e arrestuar si autorë të krimeve të rënda në 27 ngjarje kriminale.

Mirëpo, ajo që ra në sy në këtë pretencë është mungesa e një dënimi me burgim të përjetshëm, si dhe kërkesa e dënimit me 35 vite burgim për bashkëpunëtorin e parë të SPAK-ut të penduar, Henrik Hoxhaj.

Tashmë sprova më e madhe për të dhënë vendimin do të bjerë mbi 3 gjyqtarët e çështjes, Ëngjëllushe Tahiri, Besmir Stroka dhe Aurel Arapi.

Pavarësisht akuzave të rënda për grup kriminal, 7 vrasje të realizuara, disa tentativa vrasjeje, mbajtje pa leje të armëve dhe deri te grabitjet brutale në banesa dhe biznese, Prokuroria e Posaçme SPAK u tregua e kursyer në masat e dënimit, jo vetëm për personat e akuzuar, por edhe për të penduarit e kësaj dosjeje.

Asnjë dënim përfundimtar me burgim të përjetshëm nuk u kërkua në këtë çështje penale, megjithëse të akuzuarit, siç doli edhe gjatë fazës së gjykimit dhe hetimit, përfaqësonin një “makineri” të egër vrasësish me pagesë, që kundrejt shumave në mijëra euro, kthyen në “kasaphanë” pesëkëndëshin Elbasan, Tiranë, Durrës, Peqin, Fier.

“Plumbi i Artë” është një dosje penale që, ndryshe nga dosjet e tjera, ka pasur 6 bashkëpunëtorë të Prokurorisë së Posaçme SPAK, si Henrik Hoxhaj, Euglen Halili, Klevis Alla, Nuredin Dumani, Skerdi Tasi dhe Erjon Alibej.

Ky i fundit e priti i zhgënjyer masën e dënimit prej 15 vitesh burgim të kërkuar nga prokurorët, pasi dëgjoi se ortaku i tij në krime vrasjesh, Nuredin Dumani, do të dënohet më pak se Alibej, vetëm me 10 vite burgim.

Me kërkesën për dënim me 10 vite burgim për Nuredin Dumanin, i bie që, nëse kjo masë dënimi lihet në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, atëherë vrasësi me pagesë lirohet nga burgu në fundin e vitit 2027.

Kujtojmë se i pari bashkëpunëtor për krimet në Elbasan është bërë Euglen Halili, i cili pranoi dhe foli fillimisht në Prokurorinë e Elbasanit dhe më pas në SPAK, për vrasjen e Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit, duke treguar Jurgen Hoxhën dhe Erjon Alibej.

Ndaj Euglen Halilit, si bashkëpunëtor i prokurorisë, u vendos një masë dënimi prej 16 vitesh burgim, në një proces të ndarë nga personat e tjerë, ku ishte edhe i pandehuri Jurgen Hoxha.

Ndërsa për tre bashkëpunëtorët e tjerë të kësaj dosjeje penale, si Nuredin Dumanin, Skerdi Tasin dhe Erjon Alibej, Prokuroria SPAK kërkoi një masë më të butë dënimi, përkatësisht me 10, 13 dhe 15 vite burgim.

Të vetmit që nuk përfituan nga bashkëpunimi me prokurorinë dhe rrezikojnë të dënohen me dënime të rënda janë dy të penduarit e SPAK-ut, Skerdi Tasi dhe Henrik Hoxhaj.

Edhe pse të ndarë në dy procese të ndryshme penale, por me krime të njëjta, bashkëpunëtori i SPAK-ut, Klevis Alla, u dënua nga gjykata me 25 vite burgim në një proces të ndarë nga dosja “Plumbi i Artë”.

Përmes 5 dëshmive të tij të dhëna në SPAK dhe Prokurorinë e Durrësit, Alla ndihmoi prokurorinë të zbardhte 4 vrasjet e ndodhura në Durrës, Dorjan Shkozës, Anxhelo Avisë dhe dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhiaj.

Por rrëfimi i Klevis Allës u përmbys pjesërisht nga arrestimi dhe pendesa e mëvonshme e Henrik Hoxhajt dhe Nuredin Dumanit, duke çuar SPAK-un në vendimin për t’i hequr statusin e bashkëpunëtorit dhe dënimin e Klevis Allës me 25 vite burgim.

Ndërsa në rrezik të lartë për t’u dënuar me 35 vite burgim tashmë është vendosur edhe bashkëpunëtori tjetër Henrik Hoxhaj, për të cilin SPAK urdhëroi që t’i hiqet statusi i bashkëpunëtorit.

Edhe pse Henrik Hoxhaj foli më tepër se çfarë kishte treguar pjesërisht Klevis Alla, duke çuar në arrestimin e emrave të njohur të botës së krimit. Rrëfimi i Henrik Hoxhajt, në cilësinë e të penduarit, arriti të fuste SPAK-un gjatë viteve 2022-2023 brenda një “çerdheje” vrasësish me pagesë që vepronin në disa qytete.

Ndryshe nga të pandehurit e tjerë, si Nuredin Dumani, Skerdi Tasi dhe Erjon Alibej, që lidhën marrëveshjen e bashkëpunimit në SPAK, Henrik Hoxhaj më 30 mars 2022 firmosi marrëveshjen e pendesës në Prokurorinë e Elbasanit, para prokurorit të rrethit, Kreshnik Ajazi, dhe ish-drejtuesit të Policisë së asaj kohe, Ilir Proda.

Proda dhe Ajazi asistuan të parët në marrjen e dëshmisë së Henrik Hoxhajt, duke çuar më pas në transferimin e akteve hetimore në SPAK dhe më pas në arrestimin e më shumë se 15 personave.

Por nuk kaloi shumë kohë dhe pozicioni juridik filloi të ndryshojë pas përplasjeve me Nuredin Dumanin dhe futjen në lojë të një bashkëpunëtori tjetër të ri, Skerdi Tasi, që thirrej ndryshe me nofkën “Kusho” dhe “Nipçja”.

Më 5 korrik 2023, Prokuroria e Posaçme vendosi t’i hidhte në kosh procesverbalet e dëshmisë së Hoxhajt, duke revokuar marrëveshjen e bashkëpunimit me të.

Edhe pse kjo marrëveshje është kundërshtuar në gjykatë nga Henrik Hoxhaj, sërish deri në këtë fazë ku ndodhet procesi, ajo nuk është marrë në konsideratë nga SPAK-u, i cili gjatë pretencës kërkoi dënimin me 35 vite burgim.

Kjo masë dënimi është më e larta që SPAK kërkoi në raport me 14 të pandehurit e tjerë të dosjes “Plumbi i Artë”, megjithëse Hoxhaj në vitin 2022 u konsiderua si një aset informacioni për SPAK-un.

Tashmë kjo marrëveshje është “grisur” në mënyrë të njëanshme nga SPAK-u, duke e konsideruar të penduarin e parë të dosjes “Dumani”, Henrik Hoxhaj, si jo të sinqertë dhe të besueshëm.

Avokati i Hoxhajt, Gentian Rumano, pohoi se ky ishte një vendim i padrejtë i SPAK-ut, për të cilin ai dhe klienti i tij nuk kanë qenë dakord, pasi, sipas tij, SPAK-u mori çfarë deshi nga Hoxhaj dhe më pas e nxori nga programi i bashkëpunimit, duke ia dhuruar statusin e bashkëpunëtorit një të arrestuari tjetër, Skerdi Tasi.

Vetë Henrik Hoxhaj është njohur me prishjen e marrëveshjes në datën 5 korrik 2023. Ndërsa në fund të dokumentit Hoxhaj shkruan se:

”…u njoha me vendimin me të cilin nuk jam dakord… rezervat e pretenduara nga PPKKO nuk janë të bazuara në prova dhe ligj. Për këtë shkak, do të paraqesim pretendime më vonë, drejtuar institucionit tuaj…”.

Por, sipas SPAK-ut, 2 të arrestuarit që kanë nxjerrë blof dëshminë e Henrik Hoxhajt janë Nuredin Dumani dhe Skerdi Tasi alias “Nipçja”. Të dy këta persona akuzojnë Hoxhajn për krime të rënda në Fier dhe Durrës.

Megjithëse pozicioni i tij në këto krime është komprometuar me analiza ADN-je, foto, video dhe dëshminë e dy shokëve të ngushtë, sërish Hoxhaj nuk ka pranuar të flasë, duke i mohuar ose duke i treguar në një version tjetër që, sipas SPAK-ut, nuk përputhet me realitetin dhe dinamikën e vërtetë të ndodhjes së krimit.

Pika e parë ku SPAK-u bazohet për prishjen e marrëveshjes së lidhur mes prokurorit Kreshnik Ajazi dhe Henrik Hoxhajt është vrasja e Elvis Dedajt në zonën e Golemit, Kavajë.

SPAK-u shprehet se Henrik Hoxhaj nuk ka pranuar të dëshmojë në lidhje me veprimet e bashkë të hetuarit Festim Qoli dhe përfshirjen e tyre në vrasjen e Elvis Dedajt, ngjarje kjo e ndodhur më 5 qershor 2012 në rrugën dytësore Plepa-Golem.

Për këtë krim, për të cilin nuk flet Hoxhaj, kanë folur Nuredin Dumani dhe Skerdi Tasi, të cilët kanë treguar se Henrik Hoxhaj dhe Festim Qoli janë dy njerëzit që kanë vrarë Elvis Dedajn, për shkak të konflikteve që Qoli dhe Elvisi kishin për borxhet.

Pika e dytë është fakti se, sipas SPAK-ut, Hoxhaj nuk jep të dhëna identifikuese në lidhje me personin tjetër, të cilit i referohet me emrin “Tani”, me të cilin është shprehur se në një rast ka qenë së bashku, kur i kanë bërë atentat shtetasit Filip Gjeloshi.

Në pikën e tretë, Henrik Hoxhaj, sipas SPAK-ut, nuk tregon shtëpinë në Fier ku siguronin dhe blinin armët moderne për të kryer vrasje. Në këtë shtëpi, Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani rezultojnë të kenë shkuar 2-3 ditë para datës 29 mars 2022, kur ka ndodhur atentati te kthesa e Cërrikut, ku mbeti i plagosur Dumani.

Dijenia e tij për këtë shtëpi është provuar nga deklarimet e Nuredin Dumanit dhe këqyrjes së telefonit të tij, ku dallohet qartë përmes fotove dhe videove me një arsenal të rëndë armësh, duke biseduar me Henrik Hoxhajn dhe një person të tretë, që më vonë rezultoi të jetë i arrestuari në Itali, Sandër Baho.

Gjithashtu, marrëveshja mes prokurorisë dhe Henrik Hoxhajt është grisur pasi ai nuk ka treguar porositësin dhe motivin e krimit për dy atentatet e kryera në vitet 2017-2019 nga ai së bashku me shokun Skerdi Tasi, për vrasjen e biznesmenit Ajredin Behari në Fier.

Me heqjen e statusit të Henrik Hoxhajt, statusi i bashkëpunëtorit i kaloi Skerdi Tasit. Nga dëshmia e këtij të fundit, SPAK-u mundi të arrestojë vetëm Albert Pashajn nga Fieri dhe asnjë tjetër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe