Mijëra italianë protestojnë në qytetet kryesore, kundërshtojnë rritjen e kostos së jetesës dhe shtimin e shpenzimeve ushtarake

Mijëra qytetarë u mblodhën të shtunën në rrugët e disa qyteteve të Italisë për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës, shtrenjtimit të qirave, shpenzimeve të larta për riarmatimin, si dhe ndërprerjeve të fondeve për arsim dhe shëndetësi.

Turma të mëdha u vunë re në Torino, Milano, Romë, Bolonjë, Xhenova, Firence, Udine dhe Leçe. Torino pa pjesëmarrjen më të madhe, ku afërsisht 3 mijë vetë morën pjesë në marshim. Në protestat u bashkuan studentë, punëtorë, mësues dhe fermerë, të cilët kërkuan një mbështetje më të fortë financiare dhe mbrojtjen e shërbimeve publike.

Gjatë marshimit në Torino, protestuesit mbanin pankarta që shprehnin zhgënjimin për koston e lartë të jetesës dhe kundërshtimet për politikat e riarmatimit. U dëgjuan edhe thirrje drejtuar kryeministres Giorgia Meloni dhe ministrit Matteo Salvini. Demonstrata u mbyll pa incidente.

Studentët organizuan një tubim të veçantë në Milano, ndërkohë që në Arco della Pace u mbajt nisma “Takso të pasurit”, duke kërkuar taksa më të rënda për shtresat më të pasura të shoqërisë.

Në Romë, protestuesit u nisën nga Kodra Esquilino drejt Forumeve Perandorake, ndërsa në Xhenova u shfaq kundërshtim ndaj politikave të riarmatimit dhe shkurtimit të fondeve për shërbimet publike.

Edhe pse protestat përfshinë shumë qytete, ato kaluan përgjithësisht në qetësi, pa përplasje të mëdha me forcat e rendit.

Pak orë përpara fillimit të protestës në Torino, policia sekuestrua 188 kilogramë lëndë piroteknike në shtëpinë e një 44-vjeçari në lagjen Borgo Filadelfia. Personi u kallëzua për posedim dhe shitje të paligjshme të lëndëve eksplozive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

Më të lexuara

Lexo edhe