Një 34-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi akuzohet se ka tentuar të përdorë armë zjarri gjatë një sherri me një 41-vjeçar në zonën e Ujit të Ftohtë.
Incidenti ndodhi mbrëmjen e kaluar, rreth orës 20:50, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në vendin e njohur si “Rrapi”. Gjatë patrullimit, forcat e policisë vunë re një konflikt të çastit për motive të dobëta mes Mario Meçanajt, 34 vjeç, dhe shtetasit E. H., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Policia ndërhyri pa vonesë për të evituar përkeqësimin e situatës. Në atë moment, Meçanaj u përpoq të largohej me vrap, por u ndalua dhe u vu nën kontroll nga efektivët.
Hetimet paraprake zbuluan se gjatë përplasjes, i riu ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e kishte hedhur në rërë në vendin ku u arrestua. Policia gjeti armën dhe e sekuestroi si provë materiale.
Gjatë kontrollit të mjetit në pronësi të Meçanajt, u zbulua dhe u sekuestrua edhe një përforcues metalik grushti.
Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Yacht”. Materialet procedurale janë referuar tashmë Prokurorisë së Vlorës për vijimin e hetimeve.
