E ardhmja e Vllaznisë së femrave është në pikëpyetje. Skuadra shkodrane, e cila ka fituar 13 herë titullin kampion të Shqipërisë, rrezikon të ndërpresë aktivitetin pas një sezoni të vështirë, të shoqëruar me probleme të shumta organizative.
Situata është përkeqësuar pas dorëheqjes së presidentit Lazer Matija dhe largimit të disa futbollisteve, ndërsa rezultatet e fundit kanë shtuar pasigurinë për vazhdimësinë e ekipit.
Humbja 3-0 në Shkodër përballë Apolonisë ka thelluar krizën, ndërsa trajneri Nikolin Leka ka deklaruar se ka marrë fund një epokë e dominimit të Vllaznisë në futbollin e femrave.
Vendimi përfundimtar për të ardhmen e skuadrës pritet të bëhet publik në ditët në vijim nga Shoqata e Futbollit të Femrave Vllaznia.
