Humbja e jetës së David Dedës dhe Sokol Prekës ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për mungesën e shërbimeve të urgjencës dhe ambulancës në zonën e Vaut të Dejës.
Dy personat humbën jetën pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike në fshatin Karmë. Pas ngjarjes tragjike, qytetarët kanë njoftuar për një protestë që pritet të zhvillohet nesër në orën 10:00, pranë Spitalit të Vaut të Dejës.
Thirrja u është drejtuar banorëve të zonës, të cilëve u kërkohet të bëhen pjesë e tubimit për të kërkuar përmirësimin e shërbimit shëndetësor.
Ndër kërkesat kryesore janë vendosja e një ambulance, garantimi i shërbimit të urgjencës dhe forcimi i shërbimeve shëndetësore për banorët e Vaut të Dejës.
Organizatorët ngrenë shqetësimin se mungesa e një shërbimi të plotë urgjence dhe ambulance mund të ketë pasoja të rënda për jetën e qytetarëve.
“Sot humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka. Nesër mund të jetë dikush nga familja jote!”, thuhet në thirrjen për protestë.
Në fund të njoftimit, qytetarët ftohen të bashkohen në protestë: “Mos hesht! Mos mungo! Vau i Dejës ka nevojë për ne!”


