Biznesi Cliché ka njoftuar se do të pezullojë aktivitetin e tij çdo ditë nga ora 18:00 deri në 19:00, në një akt simbolik proteste dhe solidariteti me qytetarët që kërkojnë më shumë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt nga pushteti. Përmes një reagimi publik, përfaqësuesit e biznesit kujtojnë shembjen e projektit të tyre vitin e kaluar dhe shprehen se ky veprim është një formë reflektimi dhe qëndrimi ndaj asaj që e konsiderojnë cenim të besimit tek shteti dhe ligji.
Reagimi i plotë
Ka momente kur heshtja bëhet bashkëfajtore.
Për këtë arsye, Cliché do të pezullojë aktivitetin e tij çdo ditë nga ora 18:00 deri në 19:00, si një gjest simbolik solidariteti me çdo qytetar që kërkon më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe më shumë respekt nga pushteti.
Ne nuk jemi parti politike. Jemi një biznes i ndërtuar me punë, sakrificë dhe besim tek ky qytet.
Vitin e kaluar pamë të shkatërrohej një projekt që nuk ishte simbol i kaosit urban, por i asaj që mund të bëhej Shqipëria kur ligji, estetika, inovacioni dhe respekti për hapësirën publike ecin bashkë. Një projekt i realizuar sipas rregullave, i vlerësuar me Çmimin e Parë në një festival ndërkombëtar arkitekture, u rrëzua pa dallim, në të njëjtin rresht me uzurpimet, paligjshmëritë dhe abuzimet që për vite kishin zaptuar hapësirat publike.
Atë ditë nuk u shemb vetëm një strukturë.
U shemb besimi se respektimi i ligjit mjafton.
U shemb bindja se puna e ndershme mbrohet.
U shemb ideja se shteti di të dallojë mes atij që ndërton me leje dhe atij që ndërton pa të.
Ne e dimë se një qeveri ka të drejtë të vendosë rregulla. Por po aq e vërtetë është se një shtet demokratik ka detyrimin të dëgjojë, të arsyetojë dhe të trajtojë me dinjitet ata që investojnë, krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në jetën e qytetit.
Kur vendimet merren nga lart dhe zbatohen verbërisht poshtë, kur nuk ka dialog, kur nuk ka dallim mes së drejtës dhe së padrejtës, mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, atëherë dëmtohet diçka shumë më e madhe se një biznes: dëmtohet besimi qytetar.
Ne nuk po mbyllim dyert për një orë sepse besojmë se kjo do të ndryshojë botën.
Po i mbyllim sepse nuk duam të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Po i mbyllim sepse besojmë se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari.
Po i mbyllim sepse besojmë se investimi, puna dhe iniciativa e ndershme meritojnë respekt.
Po i mbyllim sepse duam një Shqipëri ku ligji të mos jetë armë e të fortit, por garanci për të gjithë.
Kjo është protesta jonë e heshtur.
Një orë reflektim.
Një orë dinjitet.
Një orë në kujtim të asaj që humbëm, por edhe në mbrojtje të asaj që ende besojmë se mund të ndërtojmë.

