Tre gra janë vënë në rrezik mbytjeje në det në zonën e Palasës, pasi kushtet atmosferike dhe detare u përkeqësuan papritur.
Gjatë një patrullimi rutinë, efektivët e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare kanë vërejtur se tre shtetase kishin dalë në det me kanoe dhe po përballeshin me rrezik serioz për shkak të motit të keq.
Forcat e rendit reaguan menjëherë, duke ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë dhe duke siguruar nxjerrjen e tyre të sigurt në breg. Të treja shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë rrezik për jetën.
Pas shpëtimit, ato kanë falënderuar punonjësit e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e dhënë.
Policia u bën thirrje pushuesve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese të tregojnë kujdes të veçantë dhe të marrin në konsideratë situatën atmosferike dhe atë të detit para se të lundrojnë.
Autoritetet rekomandojnë të shmanget dalja në det në rast se kushtet e motit dhe të detit sjellin rrezik për sigurinë e jetës.

