Përtej rezultateve në fushë dhe objektivave të mëdha të sezonit, një nga problemet që ka shoqëruar Vllazninë në vazhdimësi gjatë dy edicioneve të fundit ka qenë pa dyshim numri i lartë i dëmtimeve.
Edhe sezoni 2025-26, i mbyllur vetëm pak ditë më parë, konfirmoi se infermieria ka qenë një nga shqetësimet kryesore të stafit teknik kuqeblu, duke detyruar shpesh trajnerin Edi Martini të bëjë llogari me mungesa të rëndësishme. Problemi u bë edhe më i dukshëm në fazën vendimtare të kampionatit, aty ku Vllaznia kishte më shumë nevojë për lojtarët e saj kryesorë.
Dy emra me peshë si Lirim Kastrati dhe Bismark Charles mbetën jashtë fushave për shkak të dëmtimeve, duke mos arritur të japin kontributin e tyre në momentet më të rëndësishme të sezonit. Mungesa e tyre ndikoi ndjeshëm në alternativat e skuadrës, sidomos në repartin ofensiv, ku cilësitë e tyre mund të kishin bërë diferencën. Megjithatë, lista e lojtarëve që kanë kaluar periudha në infermieri është shumë më e gjatë.
Gjatë sezonit, në momente të ndryshme, trajneri Martini është detyruar të bëjë pa shërbimet e futbollistëve si Jukaj, Gjini, Gurishta, Hakaj, Kuros, Dros, Murataj apo edhe Qato. Disa prej tyre kanë humbur vetëm pak ndeshje, ndërsa të tjerë janë detyruar të qëndrojnë më gjatë larg fushës së blertë, duke krijuar probleme në ruajtjen e vazhdimësisë së ekipit.
Si pasojë, Vllaznia rrallëherë ka arritur të paraqitet me grupin e plotë gjatë këtij kampionati. Ndryshimet e detyruara në formacion dhe mungesat e vazhdueshme kanë bërë që stafi teknik të mos ketë luksin e zgjedhjeve optimale në shumë ndeshje. Në disa raste, kuqeblutë janë detyruar të improvizojnë edhe në role të caktuara, vetëm për të mbuluar boshllëqet e krijuara nga dëmtimet.

