Forcat e Armatosura vazhdojnë të jenë të pranishme në terren për të menaxhuar situatën e zjarreve që janë shfaqur në disa rajone të vendit.
Operacionet përfshijnë ndërhyrje si nga toka ashtu edhe nga ajri, me qëllimin kryesor izolimin dhe shuarjen e vatrave ende aktive.
Fokusi kryesor i veprimeve mbetet aktualisht në Malin e Dajtit. Në këtë zonë janë vendosur 30 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, të cilët po asistohen edhe nga një helikopter. Pavarësisht vështirësive që sjell terreni, situata është nën vëzhgim të vazhdueshëm dhe nuk përbën rrezik për komunitetet përreth.
Ndërsa në Pukë, gjendja ka shënuar përmirësim të dukshëm. Në zonat e Gjegjanit, Gojan i Vogël dhe Gojan i Madh, zjarret janë shuar tërësisht. Në Prozhëm, flakët janë reduktuar ndjeshëm dhe janë drejt shuarjes së plotë.
Në këtë rajon janë angazhuar 40 efektivë të Forcave të Armatosura, të pajisur me automjete dhe të mbështetur nga një helikopter.
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me strukturat e tjera të emergjencave, vijojnë të monitorojnë nga afër situatën, duke ndërhyrë aty ku është e nevojshme dhe me prioritet mbrojtjen e jetës, zonave të banuara dhe pronave të qytetarëve.

