Alimehmeti: Rama thotë një gjë dhe bën të kundërtën, studentët nuk i besojnë më kryeministrit

Publikuar me datë:

Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar, ka reaguar lidhur me protestën studentore që vazhdon prej disa ditësh në Tiranë, duke e cilësuar atë si një nga lëvizjet më të mëdha dhe më frymëzuese që vendi ka parë vitet e fundit. Ai theksoi se ky mobilizim ka bërë të qartë vullnetin për ndryshim mes qytetarëve, ndërkohë që kërkesat e studentëve janë të padiskutueshme: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Sipas Alimehmetit, lëvizja studentore ka qenë e papritur si për publikun ashtu edhe për klasën politike, ndërsa vlerësoi se të rinjtë kanë treguar se nuk janë një brez apatik, sikurse mund të ishte menduar më parë.

Ai kritikoi ashpër mënyrën si ka reaguar kryeministri ndaj protestuesve, duke përmendur faktin që Rama i ka etiketuar ata në forma të ndryshme, ndërkohë që aktualisht po fton për dialog dhe komunikim me platformë dixhitale.

“Me sa duket, paska ende njerëz që dëgjojnë Edi Ramën. Personalisht, nuk e dëgjoj më prej kohësh”, deklaroi Alimehmeti në News24, duke nënvizuar se pavarësisht se kryeministri ka dëgjuar kërkesat e publikut, ai nuk i ka marrë në konsideratë.

Alimehmeti argumentoi se mosbesimi ndaj Ramës është arsyeja pse protestuesit nuk kërkojnë dialog, por dorëheqjen e tij. Sipas tij, propozimet e fundit të kryeministrit synojnë të zbusin presionin mbi qeverinë dhe të shmangin përgjegjësitë për problemet e mbledhura ndër vite.

Ai rikujtoi gjithashtu protestën studentore të vitit 2018, duke vënë në pah premtimet e dhëna atëherë për përmirësimin e kushteve në universitete dhe ndërtimin e një kampusi të ri.

“Ju kujtohet kampusi universitar i famshëm? Ku është kampusi universitar? U bënë tetë vjet. Nuk është ndërtuar asnjë guralec”, tha Alimehmeti, duke theksuar se gjenerata të tëra studentësh kanë përfunduar studimet pa u përfshirë në premtimet e bëra.

Sipas tij, as marrëveshjet e Paktit të Universitetit nuk janë përmbushur nga ana e qeverisë.

“Janë gënjeshtra edhe të gjitha premtimet për Paktin e Universitetit. Nuk i ka realizuar”, deklaroi ai, duke akuzuar Ramën se shpesh premton një gjë dhe vepron të kundërtën.

“Do t’u sjellë ujë, nuk ka ujë. Do t’i ulë çmimet, nuk i uli. Tha se do të ulte taksat, i rrit. Do të ulte akcizën për naftën, nuk e uli për 13 vjet”, vazhdoi Alimehmeti, duke listuar sipas tij zotimet e pambajtura.

Duke iu referuar qëndrimit të kryeministrit për dorëheqjen, ai shtoi me ironi: “Thotë që nuk do të japë dorëheqjen. Kuptojeni vetë kush është e kundërta. Do ta japë dorëheqjen”.

Gjatë intervistës, Alimehmeti ndaloi edhe te zhvillimet në Serbi, duke bërë një paralelizëm mes situatës politike në Shqipëri dhe protestave ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Ai komentoi deklarimet e Vuçiçit sa i përket kryeministrit shqiptar, duke vënë në dukje se presidenti i Serbisë ka këshilluar Ramën për qasjen e tij ndaj protestuesve.

“Ky që na thoshte neve ‘jeni agjentë të huaj’, këshillohet me Vuçiçin”, u shpreh Alimehmeti, duke kritikuar qëndrimet e kryeministrit ndaj protestuesve.

Sipas tij, edhe pse protestat e vazhdueshme nuk mund të sjellin ndryshime të menjëhershme, ato shërbejnë për të ushtruar presion mbi pushtetin dhe mund të zvogëlojnë mbështetjen politike për drejtuesit aktualë.

Alimehmeti shprehu bindjen se Rama dhe Vuçiçi kanë ngjashmëri në mënyrën e administrimit të pushtetit, por theksoi se kryeministri shqiptar është i gatshëm të vendosë interesat personale përpara atyre të vendit.

“Rama është i gatshëm të shesë çdo gjë të këtij vendi vetëm për veten e vet, që të ketë interesat e veta dhe të ecë përpara”, tha ai.

Në përmbyllje, Alimehmeti u shpreh se trysnia ndaj Ramës do të vijojë të rritet dhe se vijueshmëria e protestave mund të ketë ndikim në të ardhmen politike të tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Fox News: Kongresmenët republikanë i kërkojnë Rubios të shqyrtojë kufizimin e vizave për zyrtarët e korruptuar shqiptarë, kërkohet informacion për çështjen Balluku

Dy ligjvënës republikanë i kanë drejtuar një letër Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ku kanë shprehur shqetësimin për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, vend anëtar i NATO-s. Në letrën e tyre, të cituar nga Fox News, ata i kërkojnë Departamentit të Shtetit të përdorë autoritetin e vet për të vendosur kufizime vizash ndaj zyrtarëve shqiptarë […]

Qeveria sllovene po përgatit një ndalim për mbulesat e fytyrës

Qeveria sllovene është duke punuar për të ndryshuar Ligjin...