Piku i sezonit turistik këtë mesditë ka rezultuar në shtim të ndjeshëm të qarkullimit në të dyja anët e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Te pika kufitare e Morinës është vërejtur rritje e konsiderueshme e hyrjeve të automjeteve dhe qytetarëve që vijnë drejt Shqipërisë. Megjithëse fluksi është i madh, sportelet e kontrollit po funksionojnë plotësisht dhe nuk janë shënuar aktualisht pritje të zgjatura apo radhë të gjata automjetesh.
Edhe te pika kufitare e Vermicës është regjistruar fluks i shtuar, me lëvizje kryesisht në drejtim të Kosovës. Ky fluks lidhet me kthimin e qytetarëve të Kosovës pas pushimeve në bregdetin shqiptar dhe të anëtarëve të diasporës që po rikthehen në atdhe.
Në rrjedhën e trafikut përfshihen gjithashtu qytetarët që kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën apo disa ditë pushimi në Shqipëri dhe tani janë në rrugë për t’u kthyer në Kosovë.
Qarkullimi i shtuar i automjeteve ka krijuar ngarkesë në Rrugën e Kombit, sidomos në segmentin që lidh Tunelin e Kalimashit me Kukësin dhe Morinën, ku trafiku mbetet i dendur.

