Aktivisti shkodran Mirsad Basha ka reaguar ashpër ndaj drejtuesve të Bashkisë Shkodër, duke ngritur shqetësime për gjendjen e infrastrukturës në Velipojë dhe mungesën e investimeve që, sipas tij, kjo zonë turistike meriton.
Permes një postimi në rrjetet sociale, Basha iu drejtua kryetares së Këshillit Bashkiak, Ermira Teliti, dhe kryebashkiakut Benet Beci, duke i ftuar të shohin nga afër gjendjen e rrugëve kryesore të Velipojës.
sipas tij, gjatë sezonit veror rrugët mbulohen nga pluhuri për shkak të gropave dhe amortizimit të terrenit, ndërsa në dimër përballen me përmbytje dhe grumbullim uji.
Aktivisti kritikoi gjithashtu deklaratat e zyrtarëve vendorë se Velipoja nuk ka nevojë për një hapje zyrtare të sezonit turistik, pasi turizmi zhvillohet gjatë gjithë vitit. Basha thekson se një pretendim i tillë nuk qëndron, për sa kohë që zona vazhdon të vuajë nga mungesa e shërbimeve bazë dhe investimeve infrastrukturore.
“Nuk po i jepni asnjë shërbim që e meriton. Vetëm propagandë me drona po bëni kot”, shprehet ai në reagimin e tij.
Në përfundim, Basha e cilëson situatën në Velipojë si një zhgënjim, duke deklaruar se realiteti i zonës është larg sloganit “Shkodra Pozitive”.

