Mes kaosit të çmimeve dhe alarmit për sigurinë, problemet e sezonit turistik

Publikuar me datë:

Këtë sezon turistik, qeveria ka implementuar një reformë të rëndësishme për administrimin e vijës bregdetare, duke ndryshuar në thelb rregulloren e stacioneve të plazhit. Për herë të parë, bashkitë do të kenë të drejtën për të vendosur limite për çmimet e shezlongëve, ndërsa një kategori e re është krijuar: “plazhi publik me pagesë”, e cila do të administrohet direkt nga autoritetet lokale.

Kjo reformë ka si qëllim të reduktojë abuzimet me çmimet, të sigurojë më shumë kontroll mbi operatorët privatë dhe të rrisë standartet e shërbimit. Megjithatë, në terren, pyetje të rëndësishme mbeten: a do të paguajnë pushuesit për më shumë cilësi, apo për një të drejtë që deri tani e kishin falas? Më shumë se gjithçka, në një sezon që ka filluar me tragjedi, a do të garantojë ky ndryshim sigurinë e jetës në det?

Nga plazhi publik falas në atë me pagesë

Ky vendim është rezultat i kritikave të vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama për tarifat e larta të aplikuara në disa nga destinacionet më të njohura turistike, sidomos në Ksamil dhe Dhërmi. Për vite me radhë, çmimet jashtëzakonisht të larta kanë shkaktuar debate, duke dëmtuar imazhin e turizmit vendas.

Me këto ndryshime të reja, këshillat bashkiakë do të miratojnë çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare para fillimit të çdo sezoni. Operatorët privatë që shkelin këto tarifa të miratuara do të përballen me gjoba të rënda dhe mund të humbasin kontratën e tyre. Po ashtu, hapësirat e reja “publik me pagesë” do të menaxhohen nga bashkitë dhe nuk mund të kalohen në administrim privat.

Për të kuptuar më mirë situatën, është e nevojshme të shqyrtojmë si kanë ndryshuar bregdetet vitet e fundit:

Viti 2023 (vetëm 20% publik): Rregullorja e vjetër lejonte që vetëm 1/5 e vijës bregdetare të ishte në dispozicion të qytetarëve pa pagesë. Edhe pse në letër ekzistonin standarde për sigurinë dhe higjienën, në praktikë nuk kishte tualete, dushe, dhe mbrojtës plazhesh, ndërsa privatët shqetësonin çdo hapësirë.

Viti 2025 (detyrimi për 30% falas): Rregullat e reja përcaktonin se të paktën 30% e sipërfaqes së plazhit duhej të ishte falas. Parashikohej një korridor i lirë prej 2.5 metrash pranë detit dhe vendosja e çadrave duhej të ishte minimalisht 10 metra larg ujit. Megjithatë, zbatimi i këtyre rregullave dështoi, qytetarët vazhduan të ankoheshin për çadra që zinin hapësira deri në det dhe mungesë të plotë kushtesh në zonat falas.

Ankesat e para

Këtë vit, bashkitë kanë marrë formalisht kontrollin e çmimeve. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka deklaruar gjatë inspektimeve se “mbetemi të angazhuar për mbrojtjen e hapësirave publike, respektimin e të drejtave të banorëve dhe krijimin e kushteve që plazhet të jenë të pastra e të sigurta.”

Por, në praktikë, zëri i qytetarëve tregon një histori të ndryshme. Në Durrës, ankesat për zvogëlimin e hapësirave publike në favor të privatëve janë të përditshme. Një qytetar nga zona e Vollgës shprehet i nervozuar: “Plazh i lirë zero. U zgjerua rëra për privatët dhe tavolinat e lokaleve.”

Ankesa të ngjashme janë raportuar edhe në Gjirin e Lalzit, ku hapësirat e shpallura si plazhe publike janë zënë pothuajse tërësisht nga subjekte private, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e kontrolleve nga bashkitë.

A kanë kapacitete bashkitë për të “luftuar” me privatizimin?

Ekspertja e turizmit, Flora Xhemali, është mjaft skeptike për aftësinë e pushtetit vendor: “Bashkia nuk po menaxhon dot hapësirat e veta publike, që janë lënë në mëshirë të fatit. Çfarë do të bëjnë? Bashkia nuk ka aq infrastrukturë shtetërore për të kontrolluar privatin, veçanërisht në kulmin e sezonit. Do të jetë e vështirë për t’u implementuar si ligj. Lufta e vërtetë është për plazhet e jugut dhe për çmimet e çadrave.”

Modeli i Lezhës dhe Velipojës

Lezha është bashkia që ka zbatuar më gjerësisht modelin e ri për vitin 2026, duke ndarë në mënyrë të barabartë hapësirën: 94,195 m² plazh publik falas dhe 96,070 m² plazh publik me pagesë (me tarifa që variojnë nga 300 deri në 2.000 lekë). Kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka mbrojtur projektin, duke thënë se qytetarët do të kenë mundësi zgjedhjeje sipas xhepit dhe komoditetit të tyre.

Velipoja: Statistikat tregojnë një rritje të vazhdueshme të hapësirave publike falas gjatë tre viteve të fundit, ndërsa në 2024, hapësira publike përbënte 31.5% të plazhit (70,760 m²), këtë vit ajo zë 37.8% të plazhit (82,052 m²).

Edhe pse Këshilli Bashkiak ka vendosur një çmim tavan prej 900 lekësh për çadër, monitorimet në terren tregojnë se ende mungojnë dushet, tualetet dhe mbulimi minimal i mirëmbajtjes në zonat publike.

Kaosi i çmimeve nga Durrësi në Sarandë:

Në Durrës, rreth 70% e plazhit vazhdon të mbetet privat. Nga 128 hapësira publike në total, numri më i madh ndodhet në Plazhin e Madh (52) dhe Shkëmbin e Kavajës (34). Në Vlorë, tarifa zyrtare është 700 lekë, por qytetarët raportojnë se paguajnë nën dorë deri në 1.500 lekë. Ndërsa Saranda ka miratuar tavanet më të larta (deri në 3.000 lekë), në Ksamil, një çadër në plazh publik mund të kushtojë deri në 4.000 lekë.

Karta VIP”: Si i nxjerrin jashtë loje investitorët strategjikë bashkitë?

Pavarësisht rregullave të reja, investitorët strategjikë vazhdojnë të diktojnë “ligjin” në bregdet. Rregullorja ofron përparësi për këto projekte, dhe kur një projekt strategjik vihet në jetë, ai merr të drejtën të prishë kontratat ekzistuese dhe të administrojë pjesë të vijës bregdetare. Kjo ka shkaktuar shqetësime për tkurrjen graduale të hapësirave publike në zonat më atraktive.

Eksperti i turizmit Lyto Alliu ndan mendimin se: “Për të arritur në turizmin elitar, ndërtimi i hoteleve dhe vendosja e çmimeve nuk mjaftojnë. Problemi i vërtetë është menaxhimi. Zona pa pagesë shpesh mbetet e izoluar dhe e pastandardizuar, ku nuk shkon askush.”

Çmimet nën kontroll, por siguria e jetës në alarm

Ndërkohë që debati publik është përqendruar te çmimet, sezoni 2026 ka nisur me ngjarje tragjike në plazhe. Vetëm gjatë muajit qershor janë raportuar pesë viktima, përfshirë fëmijë dhe të rinj:

3 qershor: Dy të rinj nga Kosova (21 dhe 22 vjeç) humbën jetën te Rana e Hedhun nga rrymat e forta.

9 qershor: Dy vajza të mitura (9 dhe 11 vjeç) u mbytën në plazhin publik të Tales.

21 qershor: Një 11-vjeçar humbi jetën në plazhin e Durrësit.

Këto ngjarje serioze kanë rikthyer ndjeshëm vëmendjen te deficitet e sigurisë, mungesën e vrojtuesve të plazhit, sinjalistikën e dobët dhe mungesën e zonave të certifikuara për not.

Vera e këtij viti mund të shënojë një pikë kthese në menaxhimin e bregdetit shqiptar, ku bashkitë po provojnë të veprojnë si “biznesmene” të plazheve me pagesë. Megjithatë, suksesi i kësaj reforme nuk do të varet nga numri i tarifave të miratuara në letra ose nga premtimet politike.

Mënyra e vetme se si do të matet suksesi është ajo që qytetarët do të përjetojnë realisht: plazhe të pastra dhe pa mbeturina, dushe dhe tualete publike funksionale dhe të mirëmbajtura, sinjalizim për rreziqet dhe vrojtues plazhi që garantojnë sigurinë e jetës, si dhe respektim të rreptë të hapësirave publike që u takojnë qytetarëve.

Nga ACQJ

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Tërmet i fortë në Afganistan

Një tërmet me një magnitudë prej 6.1 ballë sipas...

Produkte pa etiketa, Malta sekuestron ngarkesën me ushqime nga Shqipëria

Autoritetet e Sigurisë Ushqimore në Maltë kane bllokuar dhe...

Gazmend Leka sjell në Shkodër 40 vite krijimtari artistike me ekspozitën “Magjia e Vizatimit”

Ekspozita e titulluar “Magjia e Vizatimit” nga Gazmend Leka,...