Pas dorëheqjes së Edmond Ndout, i cili do të drejtojë OSHKSH-në për veriun, Marina Duhani e PSD-së është rikthyer në krye të Këshillit të Qarkut Shkodër. Ajo mori sot detyrën, pasi u miratua me 15 vota pro.
Duhani nuk është një emër i ri në këtë institucion. Ajo u zgjodh për herë të parë në krye të Këshillit të Qarkut më 18 korrik 2023, si përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate (PSD), por dha dorëheqjen në janar të vitit 2024. Në atë kohë, vendin e saj e mori Edmond Ndou, i propozuar nga Partia Socialiste.
Kush është Marina Duhani?
Marina Duhani është e angazhuar në strukturat e PSD-së dhe në jetën institucionale vendore. Ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër dhe ka përvojë në administratë, menaxhim projektesh dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Duhani është diplomuar në Financë-Kontabilitet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në vitin 2009, ndërsa në vitin 2010 përfundoi masterin në Tregti Ndërkombëtare në Universitetin e Alicante-s në Spanjë.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar në sektorin financiar, shitje, menaxhim projektesh dhe organizim eventesh. Në periudhën 2019–2020 ishte pjesë e një projekti binjakëzimi të Bashkimit Evropian për konkurrencën e drejtë, në bashkëpunim me institucione shqiptare dhe spanjolle.
Në vitin 2023, krahas zgjedhjes në krye të Këshillit të Qarkut, ajo u angazhua edhe si anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Në përvojën e saj përfshihet gjithashtu pjesëmarrja në strukturat drejtuese të Aleancës Kombëtare të Këshilltarëve Bashkiakë.

