Në Danillovgrad të Malit të Zi, më 31 gusht, ndodhi një krim i rëndë në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”, ku tre persona u vranë, sipas të dhënave të Policisë së Malit të Zi. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për të kapur të dyshuarin, i cili, sipas tyre, është i armatosur dhe është larguar nga vendngjarja.
Drejtoria e Policisë ka bërë publike identitetin e të dyshuarit kryesor: Mihail Nikolajeviç Shabunin (Mihail Nikolaevič Shabunin), 30 vjeç, me shtetësi ruse. Sipas hetimeve, Shabunin dyshohet se ka përdorur armë zjarri për të kryer vrasjen e trefishtë në poligonin “Češka zbrojevka”.
Nën akuzën për “vrasje të rëndë”, Shabunin dyshohet se ka vrarë tre persona: Nemanja Kapor, 20 vjeç, dhe Petar Globareviç, 24 vjeç, të dy nga Podgorica, si dhe Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danillovgradi.
“Policia po punon intensivisht për gjetjen dhe arrestimin e personit në fjalë”, thuhet në komunikatën zyrtare të Drejtorisë së Policisë.
Autoritetet i kanë kërkuar publikut që të raportojnë menjëherë nëse kanë ndonjë informacion për të dyshuarin ose e shohin atë. Qytetarët mund të njoftojnë policinë në numrin falas 122, përmes aplikacionit Policija CG (Stacioni Virtual i Policisë), ose me forma të tjera të raportimit.
Policia ka theksuar se çdo informacion mund të dorëzohet edhe në mënyrë anonime.
Drejtoria e Policisë ka bërë një apel të veçantë që qytetarët të ndihmojnë në gjetjen e Shabuninit.
“U lutemi qytetarëve të ndihmojnë në lokalizimin e këtij personi, duke theksuar se çdo fshehje e informacionit për një person që është në kërkim përbën vepër penale”, thuhet në njoftimin e policisë.

