Malësi e Madhe/ Plehrat pushtojnë rrugën drejt Razmës, kthesa e Marshejit shndërrohet në vatër mbetjesh

Publikuar me datë:

Një tjetër problematikë mjedisore shfaqet përgjatë një prej rrugëve që lidh zonat e Malësisë së Madhe me destinacionet turistike të Razmës.

Në segmentin Bajzë–Marshej–Razëm, konkretisht në kthesën e Marshejit, janë grumbulluar sasi të konsiderueshme mbetjesh. Shishe plastike, qese dhe mbetje të tjera janë hedhur në anë të rrugës, duke krijuar një situatë aspak të denjë për një zonë që pret banorë, pushues dhe turistë.

Problematika bëhet edhe më e dukshme për shkak të pozicionit të kësaj pike. Çdo person që udhëton drejt Marshejit apo Razmës përballet me një grumbull mbeturinash, përpara se të shijojë peizazhin natyror të zonës.

Pamjet janë në kontrast të plotë me potencialin turistik të Malësisë së Madhe. Mbetjet e hedhura në mënyrë të pakontrolluar jo vetëm dëmtojnë mjedisin, por krijojnë edhe një imazh negativ për vizitorët që zgjedhin këtë zonë për të kaluar kohën.

Në afërsi ndodhet edhe Kalaja e Marshejit, një pikë me interes për vizitorët vendas dhe të huaj. Megjithatë, rruga drejt saj nuk ofron pikërisht përshtypjen më të mirë: përpara peizazhit dhe monumentit, vizitorët përballen me mbeturinat e hedhura përgjatë aksit.

Përgjegjësia për këtë situatë nuk lidhet vetëm me qytetarët që i hedhin mbetjet në mënyrë të papërgjegjshme. Mungesa e pastrimit dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse e lejon problemin të zgjerohet dhe ta kthejë këtë pikë në një landfill informal.

Banorët dhe qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë Malësi e Madhe, për pastrimin e zonës dhe marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate.

Një aks që shërben si portë drejt Razmës dhe zonave të tjera turistike nuk mund të shndërrohet në pikë grumbullimi mbetjesh. Pa një ndërhyrje konkrete, kthesa e Marshejit rrezikon të normalizojë një panoramë që nuk i shkon aspak një prej zonave me potencialin më të madh natyror dhe turistik në veri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related