Në zonën mes Kroit të Madh dhe fshatit Çudhë, në Malësinë e Krujës, është shfaqur një vatër zjarri pasditen e sotme.
Flakët, të ndihmuara nga era, kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe pemë, duke u përhapur shpejt në terren të vështirë.
Për shkak të kushteve të rënda të terrenit, ndërhyrja nga toka me automjete zjarrfikëse është e pamundur. Banorët e zonës theksojnë se e vetmja mënyrë për të frenuar përhapjen është ndërhyrja nga ajri.
Ende nuk raportohet asnjë ndërhyrje nga shërbimet zjarrfikëse, ndërkohë që zjarri po vazhdon të zgjerohet dhe situata mbetet alarmante.
Banorët shprehin shqetësim për mundësinë e shpërndarjes së mëtejshme të flakëve, për shkak të erës dhe terrenit të pakalueshëm.

