Në Shtëpinë e Pashko Vasës në Shkodër u mbajt këtë të diel takimi i parë i nismës “Lidhja e Fiseve të Shkodrës”, një projekt që synon të rikthejë në vëmendje traditat, historinë dhe vlerat që lidhen me fiset shkodrane.
Nisma është ideuar nga Artur Shkurti, drejtor i shkollës “Udha e shkronjave” në Tiranë, ndërsa aktiviteti i parë u zhvillua në bashkëpunim me familjen trashëgimtare të Pashko Vasës.
Sipas ideatorit, qëllimi i kësaj nisme është krijimi i një hapësire ku përfaqësues të fiseve të mund të takohen, të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë, duke u mbështetur tek vlerat dhe trashëgimia që i bashkon.
Shkurti nënvizoi se kjo nismë nuk lidhet me politikën apo fenë. Ajo synon të jetë gjithëpërfshirëse dhe e hapur për qytetarë me bindje të ndryshme politike dhe përkatësi të ndryshme fetare, me fokus tek ruajtja e identitetit, traditave dhe trashëgimisë së përbashkët shkodrane.

