Pasditen e së enjtes, Bashkia Librazhd është përballur me një situatë kritike për shkak të zjarreve, pasi një flakë e madhe ka përfshirë një zonë të gjerë pyjore me akacie dhe shkurre mes fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht.
Sipas burimeve, zjarri, që shpërtheu në mesditë, është zgjeruar me shpejtësi në disa drejtime, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme. Bimësia e thatë dhe terreni i vështirë kanë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.
Pas orës 17:00, situata është rënduar ndjeshëm, kur flakët janë afruar pranë zonës së banuar te ish-stacioni hekurudhor në Xhyrë, si dhe afër aksit kombëtar Librazhd-Prrenjas.
Për shkak të rrezikut që i kanosej banesave, në vendngjarje janë angazhuar dhjetëra automjete dhe forca zjarrfikëse nga Librazhdi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku. Ekipet e ndërhyrjes po punojnë në mënyrë të përqendruar për të ndalur përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur shtëpitë e objektet pranë vatrës.

