Nga Boldnews.al
Artur Shehu mund të jetë ndër të rrallët, në mos të vetmit, që ka marrë leje për ndërtim restoranti në brendësi të detit. Ai konsiderohet si kreu i “Grupit Aruba”, një klan që akuzohet se ka transportuar tonelata kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Shqipërisë.
Nofka “Grupi Aruba” i është vendosur nga autoritetet belge, të cilat e kanë fotografuar dhe përgjuar në një takim me anëtarë të tjerë të grupeve trafikuese dhe “zyrtarë të lartë shqiptarë”, duke diskutuar për pastrim parash në ndërtimet në Shqipëri. Bisedat janë regjistruar dhe fotografuar në ishullin Aruba, në detin e Karaibeve.
Të dhënat hetimore tregojnë se kulmi i aktivitetit të tij trafikues është zhvilluar mes viteve 2017-2023, ndërsa skema e pastrimit të pareve në hotele e resorte në Shqipëri, mes viteve 2021-2025.
Në vitin 2022, atëherë kur besohet se ai ka lëvizuar në Shqipëri pjesën më të madhe të parave të fituara nga narkotikët, Artur Shehu ka marrë lejen për zhvillimin e një lokali në brendësi të detit, në zonën e Lungo-Mares, pranë Ujit të Ftohtë, në Vlorë.
Ky restorant ishte një zgjatim i Kompleksit Turistik Kristal”, e ndërtuar më herët nga shoqëria “Adhenis”, në pronësi të Artur Shehut.
Në dokumentat e nënshkruar nga kryeministri Edi Rama, në vendimin numër 28, datë 16 mars 2022, thuhet se prona ku do të zhvillohet projekti është në pronësi të Artur Shehu dhe subjektit të tij tregtar, “Adhenis”.
Leja parashikonte ndërtimin e një godine dy-katëshe, me qëllim ngritjen e një restoranti. Projekti është përgatitur nga arkitektekti belg, Xaveer De Geyter i studios “XDGA” dhe kompania shqiptare “I Ri” shpk.
Autori belg, i cili ka projektuar edhe investimin e Lungo-Mares” në Vlorë, është pjesë e librit “Albania Files”, i cili hedh më shumë dritë mbi raportet e dyshimta që ka krijuar kryeministri shqiptar, Edi Rama, me artitektë të huaj.
Në brendësi të librit gjendet edhe një rrëfim i Xaveer De Geyter me Ramën: “…Në vitin 2004, në kafenenë e universitetit Berlage në Roterdam, hyn një “person i gjatë” që prezantohet si kryebashkiaku i Tiranës. Dy dekada dhe 29 projekte më pas, firma e De Geyter vazhdon projekton për Tiranën dhe Vlorën.
Në lejen e miratuar nga Rama për kompaninë e Artur Shehut thuhet se kufijtë e pronës janë: Veriu- 0.6-1.86 metra, ndërsa Jugu, Lindja dhe Perëndimi nuk kanë zona kufitare (zero metra), pasi janë në det.
Megjithatë, tashmë që projekti është në zhvillim, nuk është aspak e nevojshme të shihen koordinatat në hartë për të kuptuar se restoranti luksoz i Artur Shehut është në det. Godina dallohet me sy të lirë, siç dallohen lehtësisht edhe derdhja në det e ujërave të ndotur të resortit ngjitur të Shehut, nëpërmjet një tubi të gjerë.
Restoranti në det
Në këtë mes korriku, kompleksi turistik duket se ende nuk e ka arritur ende kulmin e turistëve. Një pamje, që në fakt është e përgjithshme në të gjithë gjatësinë e Lungo-Mares, në Vlorë.
Ndërkohë që turistët janë disi të përtueshëm, punimet për ndërtimin e restorantit të ri në brendësi të detit kanë vijuar me ritme të shpejta.
Nga viti 2022, kur u miratua leja e zhvillimit të kësaj godine, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), miratoi në mars 2023 lejen e ndërtimit. Dokumenti u zbardh në qershor të atij viti dhe punimet nisën më vonë.
Tashmë, shihet me sy të lirë se ndërtesa ka marrë formën e saj skeletore. Kollonat janë zhytur thellë në bregun blu të Vlorës, ndërsa hapësirat ku do të jetë lokali i ardhshëm tashmë kanë marrë formën e tyre.
Natyrisht, duket që ka ende punë deri në finalizimin e restorantit më të ri të Artur Shehut, një godinë e ngritur mbi një leje që duket se ka probleme të theksuara me ligjshmërinë, por që ka vulën e kryeministrit Rama. Një vulë, e cila është e padiskutueshme për agjencitë e zbatimit të ligjit.
Vendi, për nga natyra, është i mrekullueshëm. Pozicioni i restorantit është i përkryer. Po, natyrisht, edhe leja e kryeministrit është një akt “i padiskutueshëm”. E, megjithatë, si shumë investime të tjera në vendin tonë, edhe këtu nuk i shmangesh dot “sjelljes tipike shqiptare”.
Në vendin ku po ndërtohet restoranti dy-katësh, diku i fshehur pas disa shkëmbinjve, dallohet një tub i trashë shkarkimi. Ai derdh në det ujërat e ndotur që vijnë nga “Kompleksi turistik Kristal”, gjithashtu në pronësi të Artur Shehut.
Në një video të siguruar nga “Boldnews.al” dallohet me sy të lirë se një sasi e madhe ujërash derdhen papushim në detin e kristaltë.
Dikush duhet të ketë menduar ta bëjë disi të padukshëm këtë tub shkarkimi, pasi dalja e tij është shumë pranë kolonave të restorantit në ndërtim. Megjithatë, tentativa për mbulim nuk është edhe aq e arrirë. Tubi i shkarkimit është aty, duke derdhur ujë pikërisht në zonën e bregut ku, si rregull, duhet të lahen turistët.
Është një tub shkarkimi, goxha i gjerë, por që nuk është vënë re nga asnjë prej një duzine inspektoratesh e agjencive të tjera që kanë për detyrë monitorimin e mjedisit, sidomos në stinën verore, ku numri i turistëve është i lartë, krahasuar me pjesën tjetër të vitit.

