Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, u takua me afërsisht 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku.
Gjatë këtij takimi, Kurti vuri në dukje shqetësimet mbi shkeljet e të drejtave të njeriut që përjetojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë.
Kryeministri theksoi se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndihmojë shqiptarët e Luginës përmes disa mënyrave të ndryshme, duke përfshirë veçanërisht ndihmën për studentët, fëmijët dhe komunitetet shqiptare në ato rajone.
Ai shtoi gjithashtu se Kosova po e adreson këtë çështje në skenën ndërkombëtare, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit dhe sfidat që ballafaqojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe Sanxhak, si dhe mundësitë për të forcuar bashkëpunimin institucional dhe shoqëror mes tyre.

