Ajo që pamë sot nuk është thjesht një konflikt lokal për tokën, detin apo pronën. Është pasqyra më e qartë e një realiteti që po konsolidohet prej vitesh në Shqipëri: aleanca e heshtur mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar.
Nga njëra anë qëndrojnë Rama dhe Berisha, të cilët pavarësisht retorikës së ashpër ndaj njëri-tjetrit, kanë ndërtuar një sistem ku pushteti politik mbijeton përmes marrëdhënieve të ngushta me interesat ekonomike të pak njerëzve. Nga ana tjetër qëndrojnë oligarkët, të cilët përfitojnë prona publike, pasuri natyrore dhe privilegje që qytetarët e zakonshëm nuk mund t’i imagjinojnë. Dhe në këtë trekëndësh pushteti futet gjithnjë e më shumë krimi i organizuar, jo si spektator, por si partner i drejtpërdrejtë.
Rasti i Artur Shehut është ilustrues. Një person që rezulton pronar në zona të tëra nga Himara deri në Pishë-Poro, mbi bazën e vendimeve gjyqësore që kanë ngritur dyshime serioze për falsifikim. Nuk është rastësi që emri i tij është shfaqur edhe në proceset e vetingut, ku zyrtarë të drejtësisë kanë humbur detyrën pjesërisht për shkak të lidhjeve me të. Kjo tregon se problemi nuk kufizohet te prona; ai depërton në zemër të institucioneve që duhet të garantojnë drejtësi.
Po aq domethënës është rasti i Rrjollit, ku banorët përballen me dhunë nga struktura private sigurie, ndërkohë që pronari i lidhur me këto interesa rezulton zyrtarisht nën akuzë për grup të strukturuar kriminal. Kur njerëzit rrihen për të mbrojtur interesa private dhe shteti nuk vepron me të njëjtën forcë për të mbrojtur qytetarët, kemi kaluar prej kohësh kufirin e një problemi administrativ. Kemi hyrë në territorin ku pushteti ekonomik, politik dhe kriminal veprojnë në sinkron.
Prandaj gabojnë ata që mendojnë se sfida kryesore e shqiptarëve është vetëm zgjedhja mes Ramës dhe Berishës. Problemi është më i thellë se emrat dhe më i madh se partitë. Beteja reale është me një sistem ku krimi i organizuar, paratë dhe pushteti politik ushqejnë njëri-tjetrin, ndërsa qytetari mbetet gjithnjë e më i pambrojtur.
Përballë një sistemi të tillë nuk mjaftojnë reagimet sporadike, as indinjata e një dite në rrjetet sociale. Nevojitet organizim qytetar i qëndrueshëm, solidaritet dhe bashkim përtej ndasive që na kanë mbajtur të përçarë për dekada. Përtej fesë, krahinës, dialektit, bindjeve politike, prejardhjes, orientimit gjinor apo statusit shoqëror.
Sepse kur përballë ke një aleancë të organizuar të pushtetit, oligarkisë dhe krimit, përgjigjja e vetme efektive është një shoqëri e organizuar. Vetëm qytetarët e bashkuar mund të mbrojnë të drejtën, pronën publike, liritë dhe të ardhmen e vendit. Çdo gjë tjetër është thjesht zgjatje e problemit.

