Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë sekuestruar një Jet Ski në Ksamil, pasi mjeti ka hyrë në zonën e sigurisë ku ndodheshin pushuesit. Për këtë shkelje, autoritetet kanë vendosur ndaj pronarit një gjobë administrative prej 500 000 lekësh të rinj, duke e akuzuar atë për rrezikim të sigurisë së qytetarëve.
Autoritetet kufitare detare kanë shtuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë bregdetit, me synimin për të forcuar sigurinë e pushuesve dhe për të siguruar respektimin e rregullave të qarkullimit detar.
Gjatë një patrullimi në zonën detare të Ksamilit, tek “Tre Ishujt”, efektivët e Policisë Kufitare kanë zbuluar një Jet Ski që kishte depërtuar brenda perimetrit të sigurisë në vendin ku pushuesit po laheshin, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e tyre.
Pasi janë kryer të gjitha procedurat administrative, mjeti është bllokuar ndërsa pronari, shtetasi A. P., është ndëshkuar me masën administrative prej 500 000 lekësh të rinj.

