Kryqi që ringjall kujtesën e një fshati të harruar

Publikuar me datë:

Në Kodër Shën Gjergj, pranë kishës me të njëjtin emër, tashmë ngrihet një kryq 10 metra i lartë, që shihet nga larg dhe që synon të bëhet simbol i kujtesës, besimit dhe shpresës.

Përurimi i tij u bë më 17 gusht 2026, në njësinë administrative Shosh, në Bashkinë Shkodër. Kryqi metalik është vendosur mbi një bazament të ndërtuar me kujdes dhe i pajisur me ndriçim, duke e bërë të dukshëm edhe gjatë natës.

Pas këtij investimi qëndron Arben Mhill Kodra, prej 26 vitesh emigrant në Firence, por që lidhjen me vendlindjen nuk e ka shkëputur kurrë.

Pikërisht kjo kodër mbart një nga historitë më të dhimbshme të zonës. Mes viteve 1946 dhe 1950, dhjetëra burra e gra, kundërshtarë të regjimit diktatorial, u vranë në këtë vend. Sipas kujtimeve të banorëve, trupat e tyre u hodhën në ujërat e përroit aty pranë.

Kjo histori ka mbetur e gjallë në kujtesën e Arbenit përmes rrëfimeve të prindërve dhe banorëve të vjetër. Për këtë arsye, ai e ktheu në një mision personal vendosjen e një kryqi në këtë kodër, si shenjë përkujtimi për viktimat dhe për të gjitha dhimbjet që ka përjetuar kjo trevë.

Kryqi është vendosur pranë kishës me miratimin e Arqipeshkvisë. Kisha ndodhet ngjitur me shtëpinë e familjes Kodra dhe tashmë të dyja së bashku krijojnë një pikë që mund të marrë një tjetër kuptim për zonën.

Sapo kryqi u ngrit dhe dritat u ndezën, ai tërhoqi vëmendjen edhe të vizitorëve të huaj. Pozicioni i tij panoramik e bën të dukshëm nga Qafë-Thorja, Gimaj, Nicaj, Vuksanaj, Breg-Lumi dhe zona të tjera përreth.

Por përtej simbolikës, ky vend tregon edhe historinë e një fshati që po shuhet. Dikur këtu jetonin rreth 130 banorë në 17 shtëpi. Sot fshati është pothuajse i braktisur dhe vetëm në periudha të caktuara të vitit rikthehen banorë sezonalë.

Shpresa është që, së bashku me restaurimin e kishës, Kodër Shën Gjergji të shndërrohet në një vend pelegrinazhi, duke i dhënë jetë një territori që rrezikon të mbetet vetëm një kujtim.

Në këtë zonë traditat fetare dhe kulturore vazhdojnë të mbahen gjallë. Këtu kremtohen Nata e Shën Gjergjit, më 23 prill, si dhe Shqyrku i Shoshit, më 13 korrik.

Kryqi i ri tashmë është bërë pjesë e panoramës së Shoshit. Por mbi të gjitha, ai është një mesazh: që historia të mos harrohet, vendlindja të mos braktiset dhe kujtesa e atyre që humbën jetën të mbetet e gjallë brez pas brezi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

SHPËRNDAJ

Abonohu

spot_imgspot_img

Më të lexuara

Postime të ngjashme
Related

Sulmet alarmojnë Arabinë Saudite, pezullohet transporti përmes naftësjellësit

Arabia Saudite bëri të ditur të premten mbylljen e...

Peka: Gardh për protestuesit në Mal të zi. Janë bllokuar, pretendohet se është kërkesë nga qeveria e Shqipërisë!

Eksperti për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Avenir Peka pretendon se rreth...

Ministria e Mbrojtjes: Pesë vatra aktive zjarresh, asnjë rrezik për zonat e banuara

Ministria e Mbrojtjes bëri bilancin e situatës së zjarreve...

SHBA/ 11-vjeçarja akuzohet për vrasjen e vëllait 15-vjeçar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Oklahoma të SHBA-së,...