Këtë javë, Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, zhvilloi një bisedë telefonike me regjisorin e “Odiseas”, Christopher Nolan, për ta uruar për suksesin ndërkombëtar të ekranizimit të poemës së njohur epike të Homerit.
“Gjatë video-thirrjes, Kryeministri përgëzoi regjisorin britanik për sjelljen e poemës epike homerike në ekranin e madh dhe e falënderoi atë për kontributin e filmit në rritjen e interesit global për kulturën e lashtë greke, duke shtuar se prodhime të tilla krijojnë një urë lidhëse për trashëgiminë e pasur kulturore të Greqisë me krijimtarinë bashkëkohore”, u bë e ditur të martën nga zyra e kryeministrit.
Përveç deklaratës së publikuar, zyra e Mitsotakis shpërndau një fotografi teksa ai komunikonte përmes videokonference me Nolan. Gjatë bisedës, kryeministri tha se ishte i kënaqur që “pjesë e konsiderueshme” e xhirimeve të “Odisesë” ishte realizuar në Greqi.
“Odisea”, e cila pati një buxhet prej 250 milionë dollarësh, u xhirua kryesisht në lokacione të vërteta përreth globit. Vendet e përzgjedhura përfshinë Marokun, Greqinë, Italinë, Skocinë, Islandën, Saharën Perëndimore dhe Maltën, ndërkohë që disa skena u regjistruan edhe në parkun Universal Studios në Los Angeles.
Vlerësimet pozitive nga lideri i Greqisë vijnë pavarësisht polemikave të shfaqura nga publiku vendas javët para premierës së filmit. Sipas një raportimi të New York Times në kohën e daljes së tij, një pjesë e mirë e kinemadashësve grekë nuk ishin të bindur me zgjedhjen e Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës dhe diskutimet kulturore për mënyrën e adaptimit të teksteve të Greqisë së Lashtë ishin të shumta.
Megjithatë, investimi i Nolan dhe Universal për të sjellë “Odisenë” në jetë përmes xhirimeve në terren ka rezultuar i jashtëzakonshëm. Filmi, përveç urimit nga kreu i qeverisë greke, ka marrë kritika shumë të mira dhe ka siguruar të ardhura mbi 650 milionë dollarë në vetëm dy javë nga shfaqja në kinematë botërore.
Kështu, “Odisea” është bërë një nga kulmet financiare, teknologjike dhe artistike të karrierës së Nolan, duke vijuar suksesin pas fitores me filmin “Oppenheimer” që u shpërblye me Oscar në vitin 2023.
Biseda mes Mitsotakis dhe Nolan u realizua të martën, pikërisht një ditë pas publikimit të recensionit të kritikes Emily Wilson në London Review of Books, përkthyeses së “Odisesë”, e cila u lakua nga vetë Nolan si një prej frymëzimeve kryesore të filmit. Në artikullin e saj, Wilson deklaroi se filmi ishte “i tmerrshëm” dhe shtoi se do të “turpërohej nëse do të kishte shkruar ndonjë pjesë të skenarit”.
Recensioni i Wilson për “Odisean” u përhap gjerësisht në rrjete sociale, duke shkaktuar reagime të forta kundër saj, sidomos për vlerësimet mbi interpretimin e roleve nga aktorë që nuk janë të bardhë.
Këtë javë, “Odisea” pritet të përballet për herë të parë me konkurrencë të fortë në shitjen e biletave me daljen e filmit të Marvel dhe Sony, “Spider-Man: Brand New Day”, që do të fillojë shfaqjen të premten e ardhshme.

