Kryeadministratori i Komunës së Tuzit, Robert Camaj, ka reaguar publikisht në lidhje me debatet e fundit për kufijtë administrativë dhe ruajtjen e strukturës etnike të Malësisë, duke deklaruar se askush nuk ka mandat të vendosë për identitetin dhe përbërjen e saj.
Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale, Camaj ka sqaruar pozicionin e tij si kryeadministrator, duke theksuar se emërimi i tij është bërë nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, të cilit i atribuon besimin për detyrën që ushtron.
Ai shprehet kritik ndaj presioneve që, sipas tij, po ushtrohen mbi drejtuesit lokalë për çështje që lidhen me ruajtjen e përbërjes etnike të Malësisë, duke argumentuar se komisionet dhe arbitrazhet për kufijtë duhet të merren me përcaktimin e territorit dhe jo me inxhinieri demografike.
Camaj thekson se Malësia ka dy pasuri kryesore: popullsinë dhe territorin, ndërsa shton se vendimet për të ardhmen e saj duhet të merren nga vetë banorët e Malësisë dhe jo nga individë apo grupe të caktuara politike.
“Nuk është mandati i dy, tre apo pesë personave të përcaktojnë fatin e Malësisë. Politikanët janë mandatuar për të ndërtuar rrugë, infrastrukturë dhe për të zgjidhur çështje administrative, jo për të vendosur se si duhet të duket përbërja e Malësisë”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, Camaj bën thirrje për transparencë, maturi dhe respektim të kufijve historikë të Malësisë, duke theksuar se çdo përpjekje për ndryshimin e tyre duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe në konsultim me komunitetin lokal. Ai nënvizon se mbrojtja e territorit dhe identitetit të Malësisë duhet të bëhet pa tensione dhe përplasje, por me vetëdije dhe pjesëmarrje qytetare.

