Gazetarja Altiana Zogaj njoftoi se një informacion i pranuar nga Policia rreth tre ditë më parë ka bërë të mundur zbulimin e mbetjeve mortore njerëzore në një zonë të Skenderajt, një vendndodhje që për vite ishte përmendur nga familjarët e personave të zhdukur nga Mitrovica.
Sipas detajeve të dhëna nga Altiana Zogaj, ngjarja lidhet me zhdukjen e 28 personave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në afërsi të kufirit me Malin e Zi. Sipas dyshimeve, viktimat fillimisht janë grabitur dhe më pas kanë qenë të ekzekutuar nga forcat serbe. Ende nuk ka informacion për fatin e 23 prej tyre, ndërsa pesë persona arritën të shpëtojnë.
Gjithashtu, gazetarja sqaroi se dy shtetas serbë të arrestuar dyshohen për përfshirje në sulmin që çoi në zhdukjen e këtyre personave.
“Informacioni ka shkuar para tre ditësh në Polici, në mënyrë rastësore nga një person se mund të ketë një varrezë masive. Është konfirmuar se ka mbetje mortore në atë lokacion që është përmendur nga shumë familje të Mitrovicës.
Është konfirmuar për mbetje mortore me origjinë njerëzore. Vendi ka qenë që mbrëmë i izoluar nga forcat policore, ku ka pasur vizitë edhe nga kryetari i Komunës së Skenderajt. Rasti lidhet me kalimin e 28 personave në kufirin me Malin e Zi, dyshohet se ata u plaçkitën e më pas u ekzekutuan nga serbët. Për 23 persona nuk dihet gjë për fatin e tyre që nga ajo kohë, ndërsa 5 të tjerë u larguan. Dy të arrestuarit serbë dyshohet se kanë marrë pjesë në atë sulm serb.”

