Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se dy individë janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohen për përfshirje në krime lufte kundër civilëve.
“Nën dyshimin e bazuar, M.J. dhe M.B., gjatë periudhës së luftës, përkatësisht në vitin 1999, dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Organi i akuzës bëri të ditur se hetimet në këtë çështje janë ende në zhvillim dhe se, “me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, në këtë fazë nuk mund të bëhen publike më shumë detaje”.
Më vonë gjatë ditës, Prokuroria informoi se në një fshat të Zubin Potokut po zhvillohen gërmime, për shkak të dyshimeve për praninë e mbetjeve mortore, që mund t’u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – reagoi duke thënë se akuzat për krime lufte “janë shndërruar në një mjet për frikësimin e popullit tonë, e jo në një përpjekje për të vendosur drejtësi”.
Kjo parti vlerësoi se arrestimet përbëjnë “vazhdim i presionit” nga ana e autoriteteve të Kosovës, të udhëhequra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.
Edhe Zyra për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë reagoi, duke e përshkruar arrestimin në Zubin Potok si “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” të pjesëtarëve të komunitetit serb.
Gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë, mbi 13.000 civilë humbën jetën dhe mijëra të tjerë u zhdukën.
Ende vazhdojnë kërkimet për rreth 1.600 persona të zhdukur, shumica prej të cilëve janë shqiptarë.
Autoritetet e Kosovës kanë kryer së fundmi disa arrestime dhe kanë ngritur aktakuza të shumta për krime lufte.
Ndërmjet viteve 2000 dhe 2008, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK – mbikëqyri hetimet për këto krime. Nga viti 2008, hetimet u morën përsipër nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX.
Në vitin 2018, EULEX-i ia kaloi rastet e krimeve të luftës autoriteteve të drejtësisë së Kosovës./REL

