Një shtetas 34-vjeçar nga Kuvajti është dënuar me burgim të përjetshëm në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për përgatitje të një sulmi terrorist dhe mbajtje të një arme të ftohtë.
Abdullah Albadri, që jetonte si i pastrehë, mori dënimin në Gjykatën Penale Old Bailey të Londrës, ku iu caktua një periudhë minimale prej 20 vitesh në burg. Arrestimi i tij ndodhi në prill të vitit 2025, kur autoritetet e kapën teksa po përpiqej të kalonte barrierën e ambasadës izraelite në Kensington.
Prokuroria deklaroi se Albadri mbante me vete dy thika dhe dyshohej se kishte synim të kryente një sulm brenda territorit të ambasadës. Kur u ndalua nga forcat e rendit, ai u shpreh se qëllimi i tij ishte të “dërgonte një mesazh, të ndalonte vrasjen e fëmijëve dhe t’i jepte fund luftës”, duke iu referuar situatës në Gaza.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, u paraqitën pamje nga kamerat e trupit të policëve, në të cilat dëgjohej 34-vjeçari duke thënë: “Dua të kryej një krim atje, pse po më ndaloni?”
Hetimet zbuluan dhe një shënim që besohet se kishte lidhje me planifikimin e tij. Albadri kishte hyrë për herë të parë në Britani në vitin 2021, pasi kishte kaluar Kanalin Anglez me një varkë të improvizuar. Kërkesa e tij për azil ishte refuzuar, por ai u rikthye sërish në prill 2025, duke kaluar po me një varkë të vogël përmes Kanalit.

