Këshilltari bashkiak, Klit Hoti ka reaguar pas mbylljes së Kalasë së Rozafës për shkak të një takimi të Kryeministrit Edi Rama me strukturat e Partisë Socialiste.
Në një postim publik, Hoti ngre shqetësimin se turistët dhe vizitorët janë privuar nga mundësia për të vizituar monumentin më të rëndësishëm të veriut të vendit, duke pyetur mbi bazën ligjore të vendimit për ta vënë kalanë në dispozicion të një aktiviteti partiak.
Ai kërkon transparencë për mënyrën se si është marrë ky vendim dhe shpreh shqetësim edhe për raportimet se administrata publike është vënë nën presion për të marrë pjesë në takim.
Postimi i plotë:
Sot, për shkak të një takimi politik të Edi Ramës me strukturat e Partisë Socialiste, Kalaja e Rozafës është mbyllur për turistët dhe vizitorët gjatë gjithë ditës. Çfarë u thuhet familjeve që kanë ardhur nga qytete të tjera? Çfarë u thuhet turistëve të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë monumentin më të rëndësishëm të veriut të Shqipërisë dhe e gjejnë derën e mbyllur?
Mbi çfarë baze ligjore merret ky vendim? Kush vendosi që një pasuri publike dhe monument kulture të vihet në dispozicion të një aktiviteti partiak, duke privuar qytetarët nga e drejta për ta vizituar?
Po aq shqetësues janë raportimet se administrata publike është vënë nën presion për të marrë pjesë në këtë takim. Në një shtet normal, administrata i shërben qytetarëve, jo partisë në pushtet.

