Kandidati demokrat për Kongresin amerikan, Kirill Basin, është vënë në pranga pas një incidenti të ndodhur në një plazh të Havait, ku dyshohet se ka kërcënuar disa banorë gjatë një debati të ashpër verbal.
Raportimet bëjnë me dije se konflikti nisi kur një 61-vjeçar i kërkoi Basin të ulte volumin e muzikës. Pas këtij momenti, pretendohet se Basin ka kërcënuar burrin dhe bashkëshorten e tij, duke sugjeruar se mbante armë.
Nga një video e publikuar lidhur me ngjarjen, Basin shihet teksa debaton dhe kërcënon të pranishmit në plazh. Situata u përshkallëzua derisa ndërhyri një kalimtar për të ndalur përplasjen. Pas disa çastesh, Basin duket se humb ndjenjat dhe rrëzohet në rërë.
Policia arrestoi kandidatin 40-vjeçar, duke e akuzuar për dy vepra penale që lidhen me kërcënime terroriste të shkallës së parë. Ai u mbajt në paraburgim me një garanci prej 1 milion dollarësh.
Basin garonte për vendin e kongresmenes demokrate Jill Tokuda në Distriktin e 2-të të Kongresit në Havai.

