Nëpërmjet një statusi në Facebook Belind Këlliçi shprehet e kriza e kryeministrit Edi Rama, po transferohet tek projektet.
Sipas Këlliçit, disa nga projektet më të mëdha të promovuara nga kryeministri Edi Rama po përballen me vështirësi, duke u cilësuar si tregues të një krize që, sipas autorëve të reagimit, po prek edhe investimet strategjike.
Në deklaratë përmendet projekti i Portit të Durrësit, ku pretendohet se zhvillimet e fundit dhe deklaratat e investitorit kanë ngritur pikëpyetje mbi ecurinë e projektit. Po ashtu, përmendet projekti në Zvërnec, për të cilin thuhet se është përballur me kundërshtime dhe me shqetësime të lidhura me mbrojtjen e zonave natyrore.
Reagimi ndalet edhe te Aeroporti i Vlorës, duke pretenduar se mosrespektimi i afateve dhe mosmarrëveshjet me investitorët mund të çojnë në një arbitrazh ndërkombëtar me pasoja financiare për buxhetin e shtetit.
Statusi i plotë;
Kriza e Edi Ramës transferohet tek projektet!
Të shpallura me bujë e pompë të madhe mediatike, disa prej projekteve kryesore të Edi Ramës janë në krizë të thellë.
Dubai i Durrësit ka ngecur. Është zhytur zyrtarisht 18 centimetra, çka tregon mungesë cilësie e sigurie. Vetë Alabar tha së fundmi se e gjitha ishte një gabim.
Zvërneci dihet tanimë. Përveç protestave e revoltës popullore, është Brukseli që kërkon kthimin e mbrojtjes për të tilla zona. Dukshëm nuk ka asnjë hap më tutje.
Tani kemi aeroportin e Vlorës që jo vetëm nuk u hap për fluturime sipas afateve, por po prodhon një konflikt që, me gjasë, do t’u kushtojë rëndë taksapaguesve shqiptarë. Prishja e kontratës do të shoqërohet me arbitrazh. Dhe investitori Pacolli ka bërë të ditur sot se do të kërkojë më shumë se 320 milionë euro që janë fatura. Do të kërkojë dhe kostot ligjore dhe fitimin e munguar.
Të gjitha këto projekte kanë në thelb një të përbashkët. Ato janë nisur e kanë marrë jetë si plane personale të Edi Ramës, pa transparencë, pa konsultë publike, pa u përpjekur të marrë konsensus.
Kanë nisur me arrogancë dhe si të ishin punë në kopshtin privat të Kryeministrit. Sigurisht, në secilin rast, fshihen interesat personale të kreut të organizatës, për përfitim.
Akte të tilla dhe një qeverisje si kjo kanë sjellë krizë politike, për shkak të shpërthimit të revoltës. Dhe krizë të thellë legjitimiteti për Kryeministrin. Investime të tilla që burojnë nga kjo lloj sjelljeje prej monarku s’mund të jenë imune kur kriza përfshin iniciuesin. Ajo krizë transferohet tek projektet.
Ndaj dhe ato që ishin mburrje e propagandë shtypëse janë sot kantiere të shkreta që nuk dihet çfarë fati do të kenë. Me shumë mundësi, fatin e atij që po numëron ditët.
Problemi është se koston e paguan qytetari, e paguajnë shqiptarët. Ndaj dhe sheshet janë plot dhe njerëzit janë në këmbë. Në çdo rast, dalja më e shpejtë nga kriza është largimi i atij që i ka shkaktuar këto trauma.

