Boksi shqiptar do të përjetojë një tjetër moment historik më 30 maj 2026, kur kampioni i botës në versionin IBO, Jurgen Uldedaj, do të ngjitet në ringun legjendar të OVO Arena Wembley në Londër për të mbrojtur titullin ndaj amerikanit të pamposhtur Muhsin Cason.
Eventi i madh organizohet nga promotori britanik BOXXER dhe do të transmetohet live në BBC iPlayer, duke e vendosur edhe një herë Shqipërinë në vëmendjen e arenës ndërkombëtare të boksit profesionist.
Rrugëtimi i Uldedajt drejt majave të boksit ka kaluar përmes sakrificës dhe punës së palodhur, nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe Anglisë. Në vitet e fundit ai ka qenë pjesë e promotoreve më prestigjioze botërore si Matchroom Boxing, Queensberry Promotions dhe BOXXER.
Pas një serie fitoresh të rëndësishme, Uldedaj u shpall kampion bote në versionin IBO, duke u konsideruar si një nga boksierët shqiptarë më të suksesshëm në histori.
Sfida në Wembley pritet të jetë një nga netët më të mëdha për sportin shqiptar, ndërsa një fitore do ta mbante Jurgen Uldedaj në elitën botërore të boksit profesionist dhe do t’i hapte rrugën dueleve edhe më të mëdha ndërkombëtare.

