Dashuria nuk shprehet gjithmonë me fjalë të mëdha.
Shpesh, janë veprimet më të vogla të përditshmërisë, një meme e dërguar papritur, një voice note apo kujtimi i një detaji të vogël, ato që krijojnë lidhjet më të forta emocionale mes njerëzve.
Më poshtë, po listojmë disa nga “gjuhët e dashurisë” moderne që njerëzit përdorin për të shprehur kujdesin dhe interesin ndaj personave të tyre të dashur.
Dërgimi i meme-ve është një formë dashurie e njohur shkencërisht
Psikologët i përshkruajnë gjestet e vogla, si dërgimi i meme-ve, si mënyra për të krijuar lidhje emocionale. Marrëdhëniet forcohen kur këto “ftesa për afërsi” pranohen dhe jo kur injorohen. Kjo sjellje, e njohur shpesh si “pebbling”, ndërton afërsi emocionale përmes sinjaleve të vogla dhe të vazhdueshme që tregojnë se dikush po mendon për ty.
Gatimi për dikë si mënyra kryesore për të shprehur dashurinë
Përgatitja e ushqimit për dikë aktivizon qendrat e kënaqësisë si te personi që jep, ashtu edhe te ai që merr. Kjo krijon një reagim të përbashkët emocional, duke e bërë vetë aktin emocionalisht të rëndësishëm për të dyja palët dhe duke rritur ndjeshëm kënaqësinë në marrëdhënie.
Të mbash mend detaje të vogla që dikush ka përmendur javë më parë
Kur kujton diçka që dikush e ka thënë rastësisht, tregon se ke qenë vërtet i/e pranishëm/me në bisedë dhe se të ka interesuar aq shumë sa ta mbash mend. Kjo krijon një ndjenjë të fortë se personi ndihet i vlerësuar dhe i kuptuar. Studimet tregojnë se kjo lloj vëmendjeje është një nga faktorët më të fortë të intimitetit emocional.
Dërgimi i mesazheve zanore në vend të teksteve
Mesazhet zanore përcjellin tonin, ritmin dhe emocionin që tekstet nuk arrijnë ta transmetojnë plotësisht. Kjo i bën ato një formë shumë më të pasur komunikimi dhe ndihmon në ruajtjen e lidhjes emocionale. Studimet tregojnë se dëgjimi i zërit të dikujt krijon ndjesi më të fortë afërsie sesa leximi i fjalëve të tij.
Të qëndrosh në telefonatë apo video-call pa bërë asgjë të veçantë
Kjo krijon atë që studiuesit e quajnë “prani ambientale”, ku lidhja vjen thjesht nga ndarja e hapësirës dhe jo domosdoshmërisht nga biseda aktive. Është e ngjashme me mënyrën se si njerëzit lidhen në jetën reale pa pasur nevojë të flasin vazhdimisht. Studimet tregojnë se kjo lloj afërsie pasive redukton ndjenjën e vetmisë më shumë sesa mesazhet.
Ndarja e vendndodhjes pa t’u kërkuar
Kur dikush ndan vendndodhjen e tij me dëshirë, kjo tregon besim, hapje dhe dëshirë për të qëndruar i lidhur. Është një mënyrë për të treguar se dëshiron që personi tjetër të ndihet pjesë e ditës tënde. Hulumtimet e lidhin vazhdimisht këtë lloj sigurie emocionale me marrëdhënie më të forta dhe më të qëndrueshme.
T’i blesh dikujt diçka të vogël sepse të kujtoi atë person
Dhuratat e vogla dhe të papritura kanë një kuptim shumë më të madh sesa vlera e tyre materiale, sepse tregojnë se dikush mendoi për ty pa asnjë arsye të veçantë. Studimet tregojnë se njerëzit shpesh e nënvlerësojnë ndikimin emocional të këtyre gjesteve. Ajo që ka rëndësi nuk është objekti, por fakti që dikush të pati në mendje.

