Një mjet lundrues (Jet Ski) është ndaluar nga Policia Kufitare pasi ka hyrë në perimetrin e sigurisë pranë plazhit të Hidrovorit, në zonën e Zvërnecit, duke rrezikuar jetën e pushuesve që po laheshin. Për këtë shkelje, drejtuesi i mjetit është gjobitur me një masë administrative prej 300.000 lekë të rinj.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë shtuar kontrollet dhe patrullimet në të gjithë vijën bregdetare, me synim sigurimin e pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë kontrollit në “Plazhin e Hidrovorit”, efektivët konstatuan se një Jet Ski kishte kaluar kufirin e sigurisë, duke hyrë në zonën e rezervuar për pushuesit, çka përbënte rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre.
Si rezultat i ndërhyrjes, mjeti lundrues u bllokua ndërsa shtetasi A. V., poseduesi i tij, u ndëshkua me një gjobë administrative me vlerë 300.000 lekë të rinj, në përputhje me ligjin në fuqi.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe bizneseve që operojnë me to, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e rezervuara për pushuesit. “Çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.”

