Arben Fetai ka dhënë dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë fund një periudhe të shoqëruar me polemika për mungesën e tij në aktivitetet qeveritare.
Në një postim në Facebook, Fetai bëri të ditur se ia ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Hristijan Mickoski, duke e cilësuar vendimin si të mirëmenduar dhe të marrë me bindjen se “në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze”.
Dorëheqja vjen vetëm pak javë pasi emri i tij u përfshi në debat publik për mungesat e gjata në punë. Sipas raportimeve të mediave në Maqedoninë e Veriut, Fetai nuk ishte paraqitur në detyrë prej muajsh, ndërsa aktivitetet e tij të fundit publike si zëvendëskryeministër datonin që nga marsi.

